Dorëhiqet Ardi Veliu, Gledis Nano është kandidati kryesor për të marrë detyrën e drejtorit të Policisë

Ardi Veliu Gledis Nano 1100x620

Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit. Përmes një letre dërguar kryeministrit Rama, të cilën ky i fundit e bëri publike në rrjetet sociale, Veliu tha se kishte vendosur të mos kërkonte një mandat të dytë, por t’i përkushtohej më shumë familjes.

A2 CNN ka mësuar se emri më i përfolur për të pasuar Veliun në këtë detyrë është Gledis Nano, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Anti-Terrorizmit në Policinë e Shtetit.

Nano ka qenë një prej zyrtarëve të Policisë së Shtetit më të përfshirë në çështjen e riatdhesimit të familjarëve të luftëtarëve shqiptarë të ISIS, të mbetur në Siri. Për këtë përpjekje, në muajin gusht ai u vlerësua edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim me një çmim.