“Duhet opozitë e fortë”, Erisa Xhixho: PD të mos nxitojë për reformat

Mundësinë e përfolur të një bashkëpunimi midis partisë demokratike dhe partisë socialiste, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, nuk e sheh me sy të mirë. Nevojat e vendit, shprehet ajo për A2 CNN, bëjnë të domosdoshme një opozitë të fortë.

“Mendoj që sot vendi, duke pasur këtë mazhorancë me shumë pushtet, vendit i intereson një opozitë e fortë dhe propozime konkrete. Ky është interesi konkret”, u shpreh Erisa Xhixho.

Edhe kur vjen fjala te reformat që PD kërkon të nisë në Parlament, Xhixho fton ish-aleatët që të mos
nxitojnë, duke marrë shembull çfarë ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit.

“Një thellim i kësaj analize që padyshim duhet të vazhdojë, që të mos bëjmë reforma në letër që nuk zbatohen, si marrëveshja e 5 qershorit, të cilat u deformuan me forcën e kartonit nga kjo mazhorancë. Do të duhet të kemi një reformë që i reziston kohës. Pa një skaner të asaj që ndodhi më 25 prill, ne nuk mund të avancojmë”.

Ky skepticizëm ndaj mazhorancës nuk e pengon LSI-në që të dërgojë në Parlament nismat e saj ligjore. 

“Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar, përtej interesave të vogla të partive politike. Ne do të jemi edhe në iniciativa në kuvend apo në artikulimet tona me propozime konkrete”.

Pjesë e aksionit opozitar do të jetë ankimimi në Gjykatën Kushtetuese i ligjeve të miratuara në dy vitet e fundit të legjislaturës së kaluar, të denoncuara më herët nga opozita. Ai për bashkëqeverisjen vendore, që shton hapësirat për abuzim, sipas Xhixhos, është vetëm i pari që tashmë është në dorë të trupës kushtetuese.