“Kjo çështje nuk ndahet PD-PS”, Vokshi kërkon dëgjesë për rikthimin e shkollave në normalitet

albana vokshi kryetare e komisionit te shendetesise 1100x620

Albana Vokshi, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, propozoi të zhvillohet një dëgjesë e përbashkët në lidhje me masat e marra për të siguruar vijimin normal të shkollave.

“Kjo është një çështje që na prek të gjithëve. Kemi marrë shumë mesazhe se në shumë shkolla nuk janë marrë masat e duhura. Nëse bini dakord e vendosim në kalendarin e javës që vjen. Kemi marrë shumë mesazhe nga prindër, jemi në dije të peticionit që ndryshoi edhe mënyrën e mësimit, pa pasur një analizë, një studim. Si merren vendimet, kush i merr vendimet? A janë marrë masat brenda këtyre ditëve?”, ngriti shqetësimin Vokshi.

Në anën tjetër, nënkryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu, u shpreh se protokollet kanë qenë të përbashkëta mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Arsimit.

“Në dijeninë tonë, janë miratuar protokolle të përbashkëta mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit. Të mos harrojmë, se në sajë të vaksinimit, mbi 70% e mësuesve tashmë janë të vaksinuar. Unë mendoj se çështjet për seancat dëgjimore, problematikat mund të jenë nga më të ndryshmet, por besoj se kjo më shumë i takon komisionit të arsimit”, u shpreh Spahiu.

Më tej, Vokshi theksoi se kjo nuk është një çështje që ndahet PD-PS, “pasi është shëndeti i fëmijëve në mes, mbarëvajtja e mësimit i përket të gjithë shoqërisë, nuk duhet të ketë ndarje politike. Unë di që mësuesit nuk po mbështeten as për testet e shpejta. Atëherë hajde t’i diskutojmë të gjitha çështjet që ngrihen dhe këtë të mos e bëjmë në rrjetet sociale. Unë bëra një propozim për dëgjesë dhe kjo nuk pret pasi shkollat kanë nisur”, u shpreh Vokshi.