Ligjvënësit amerikanë: Biden të angazhohet për një zgjidhje mes Kosovës e Serbisë

KONGRESI SHBA KOSOVA frame 584 1100x620

Disa ligjvënës amerikanë i bëjnë thirrje presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të angazhohen për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dyfishojnë vëmendjen e SHBA-së për zgjidhjen e tensioneve mes dy vendeve.

Siç bën të ditur Zëri i Amerikës, thirrja është bërë përmes një letre të Grupit të Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan.

“Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i mobilizimit ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleatja jonë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.

Ata shtojnë se tensionet u përshkallëzuan kur avionët luftarakë serbë fluturuan pranë kufirit Kosovë-Serbi.