Mesazhi i Yuri Kim: Demokracia, mbrojtja dhe biznesi, prioritetet tona

Demokracia, siguria dhe biznesi mbeten 3 prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadës së tyre në Shqipëri. E për t’i rikujtuar përparësitë u kujdes vetë ambasadorja Kim.

“Puna jonë në ambasadën amerikane fokusohet te tre prioritete: demokracia, mbrojtja e biznesi. Por, siguria është një fill i përbashkët që përshkon të treja këto përparësi. Institucionet e sigurta dhe demokratike janë të nevojshme për sundimin e ligjit, zbatimin e Reformës në Drejtësi, për më pak korrupsion, për më shumë investime të huaja”, tha ambasadorja.

Në konferencën e institutit për vajzat dhe gratë në politikat e sigurisë kombëtare, Kim dha mbështetjen e saj dhe të Shteteve të Bashkuara për një kontribut edhe më të madh të grave dhe vajzave në rajon.

“Ju përfaqësoni institucione të ndryshme publike dhe private në Shqipëri dhe Kosovë, secila prej jush ka perspektiva të vlefshme për të ndarë. Europa dhe bota ka nevojë për perspektiva rajonale, por dhe kontributin tuaj”, përfundoi Yuri Kim.

Duke nxitur iniciativat e grave në politikë, biznes dhe në fushën e sigurisë, Kim garantoi për mbështetje të pakursyer nga ambasada amerikane dhe nga Shtetet e Bashkuara.