Para Hungarisë, Bajrami: Shpresoj të gjej golin e parë, trajneri më ka kërkuar të ndryshoj

nedim bajrami 1100x620

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së të premtes ndaj Hungarisë, Nedim Bajrami, mesfushori i Kombëtares shqiptare, ndaj të cilit pritshmëritë janë të mëdha, u shpreh se skuadra do të futet me besim për fitore në ndeshjen e radhës, ndërsa theksoi se do të synojë të gjejë golin e parë.

“E dimë që do të jetë shumë e vështirë ndaj Hungarisë, por futemi me besim, pasi kemi fituar dy ndeshjet e fundit. Duhet ta përgatisim lojën shumë mirë, për të marrë maksimumin në këtë ndeshje. Kam shënuar dy gola në Itali, ndërsa këtu shpresoj që ta gjej këtë herë rrjetën, por më e rëndësishme është të bëjmë mirë e të fitojmë”, u shpreh Barjami.

Më tej, teksa foli edhe për situatën tek Empoli, Bajrami theksoi se trajneri Reja i ka kërkuar të përmirësohet më shumë në lojën pak top.

“Tek Empoli ndihem shumë mirë dhe është akoma më mirë që jemi tre shqiptarë. Unë dhe Ismajli jemi tani në Kombëtare, ndaj shpresoj që shumë shpejt të vijë edhe Asllani. Tek Empoli kam më pak detyra taktike, ndërsa këtu kam folur me trajnerin Reja, që më ka kërkuar të përmirësohem më shumë sidomos në lojën pa top”, deklaroi fantazisti kuqezi.