Policia e Shtetit, informacion zyrtar për avionin e rrëzuar në Velipojë

avioni i rrezuar ne malesine e madhe 1100x620

Ndonëse me vonesë, Policia e Shtetit ka tashmë një njoftim zyrtar për avionin e vogël që kreu një ulje emergjence, një ditë më parë në fshatin Velipojë të Kelmendit, në Malësi të Madhe.

Në komunikatën për shtyp të policisë së shtetit, mësohet se policia është njoftuar nga një telefonatë për rrëzimin e avionit të vogël sportiv.

Kur ka shkuar në vendngjarje, policia ka bërë veprimet e para hetimore, por nuk ka gjetur ndonjë shenjë dalluese nga avioni apo dokumentet e origjinës.

“Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi, është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi”, shkruhet në njoftim.

Policia shton se nuk ka gjetur sende të kundërligjshme në avion dhe se ka nisur hetimet së bashku me autoritetet e Malit të Zi dhe Kosovës për përcaktimin e itinerarit të ndjekur nga ky avion dhe identifikimin e pilotit dhe pasagjerit, të cilët u larguan nga vendngjarja.

Burime për A2, bënë me dije një ditë më parë se në ndihmë të dy personave në avion shkuan disa banorë të fshatit, por ata refuzuan dhe u morën më pas nga një makinë e bardhë.