Publikohet raporti tronditës, më shumë se 200 mijë fëmijë janë abuzuar seksualisht nga klerikët katolikë në Francë

Anëtarët e klerit katolik në Francë kanë abuzuar më shumë se 200 mijë të mitur në 7 dekadat e fundit, thuhet në një raport tronditës të publikuar të martën. Shifra mund të arrijë deri në 330 mijë, nëse përfshihen edhe rastet e abuzimeve të personave që nuk ishin klerikë, por gjithsesi ishin pranë Kishës.

Raporti ka studiuar rastet e abuzimeve të kryera në periudhën 1950-2020, ndërsa numri i abuzuesve raportohet se është mes 2900 dhe 3200 persona, të cilët kanë qenë pjesë e një grupi prej 115 mijë priftërinjsh dhe klerikësh të tjerë, pjesë të Kishës Katolike në Francë.

Shifrat janë nxjerrë nga një studim i kryer nga një komision i Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe Kërkimit Mjekësor në Francë. Instituti punoi me agjencinë e sondazheve, IFOP, e cila mori në pyetje një kampion prej 28 mijë personash, të moshës mbi 18 vjeç, në periudhën 25 nëntor 2020 – 28 janar 2021.

Gjatë prezantimit të raportit, presidenti i komisionit që e hartoi, Jean-Marc Sauvé, tha se fëmijët kishin më shumë rrezik të abuzoheshin në ambientet pranë Kishës Katolike, se sa në shkollat publike apo kampet verore. “Problemi ka qenë sistematik dhe abuzuesit nuk ishin vetëm “disa dele të zeza” të ndara nga tufa”, tha Sauvé për CNN.