Rikthehen atentatet mafioze në Elbasan, ekzekutohen Lulzim Bitri e Ardian Çollaku

Pasi kanë kaluar katër muaj nga vrasja më e fundit, Elbasani është tronditur sërish nga atentatet mafioze.

Në hyrje të qytetit, pranë një pike karburanti, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri armësh ndaj dy personave, të cilët sapo kishin zbritur nga mjeti i tyre. Për pasojë, njëri prej tyre i identifikuar si Lulzim Bitri, mbeti i vdekur në vend.

Ndërsa personi tjetër, që u identifikua si Ardian Çollaku, rreth 50 vjeç, u dërgua në spital në gjendje kome, por disa orë më vonë edhe ai ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Disa minuta pas ngjarjes, policia gjeti në flakë një automjet tip Volvo, pak kilometra nga vendngjarja në fshatin Balldre. Mënyra e ekzekutimit dhe mënyra e largimit të autorëve, nuk ka asnjë pikë dyshimi, që kemi të bëjmë me një ngjarje të paramenduar dhe të organizuar deri në perfeksion.

Dëshmitarët në vendngjarje u shprehën se autorët që kanë qëlluar ishin dy dhe të maskuar. Ata kanë ndjekur makinën e viktimave dhe në momentin e parë që kanë zbritur i kanë qëlluar nga një distancë e afërt.

Ndërkohë, në vendngjarje, përveç drejtuesve të policisë lokale të Elbasanit, erdhën edhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të dy viktimat ishin të njohur nga policia dhe me precedentë të mëparshëm penalë, brenda dhe jashtë vendit.

Madje, një prej viktimave, 50-vjeçari Ardian Çollaku rezulton i dënuar edhe në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Edhe pse ishte arrestuar nga policia shqiptare me qëllim ekstradimin, ai kishte mundur sërish të ishte i lirë.

Ndërkohë, sa i takon motiveve të këtij atentati të dyfishtë, grupi hetimor ka dyshime se ky është në vazhdën e atentateve të mëparshme në këtë qytet, ku pista kryesore mbetet ajo e pazareve në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.