Studimi nga Afrika e Jugut zbulon arsyet e pasojave afatgjata tek të sëmurët me COVID-19

Mpiksje gjaku 1100x620

Pjesa më e madhe e të infektuarve nga koronavirusi, siç dihet tashmë, e kalon atë pas një periudhe disa ditore, madje një pjesë e mirë nuk paraqet asnjë simptomë domethënëse.

Por për të tjerë pasojat janë më të rënda, dhe mund të zgjasin edhe muaj të tërë, me simptoma si pagjumësia, rrahje të forta të zemrës, dhembje koke, muskulare ose të gjunjëve dhe një përgjithësi një gjendje lodhjeje dhe humori të keq.

Mbi arsyet e këtyre pasojave po diskutohet shumë në ambientet shkencore, por ndoshta një studim nga Afrika e Jugut mund të qartësojë më shumë. Studimi, i botuar në revistën Cardiovascuar Diabetology, është udhëhequr në universitetin Stellenbosch nga profesor Resia Pretorius, sipas të cilit pasojat e zgjatura në kohë janë të shkaktuara nga prania e gjakut të mpiksur në sistemin qarkullues.

Prania e këtyre mpiksjeve mikroskopike tek personat me pasoja më të rënda sipas studimit është më e dukshme sesa tek pacientët që e kanë kaluar virusin në mënyrë më të qetë. Prania e shumtë e këtyre mpiksjeve pamundëson organizmin në shpërndarjen efektive të oksigjenit në trup, si dhe të lëndëve ushqyese, duke sjellë lodhjen kronike dhe simptomat e tjera të përshkruara.

Normalisht organizmi njerëzor balancon sasinë e këtyre, por sipas studiuesve jug-afrikanë, pas infeksionit me COVID-19 molekula me potencial inflamator, me proteina si fibrinogjenët dhe antiplazminat, rrisin praninë e këtyre mpiksjeve, me pasojat që mbeten në organizëm më gjatë.    

Sipas studimeve, një person në dhjetë që ka kaluar COVID-19 mund të paraqesë simptoma edhe pas tre javësh nga infektimi, ndërkohë që në një vend si Britania e Madhe rreth 400 mijë persona kanë deklaruar pasojat e pandemisë për një periudhë që tejkalon muajin.