Vaksina “ndez” politikën, opozita akuza për falsifikim të shifrave, Manastirliu kundërshton

Fushata e vaksinimit ndaj Covid-19 shkakton debate të ashpra në Komisionin e Shëndetësisë. Opozita akuzon qeverinë për falsifikimin e shifrave të vaksinimit. Kryetarja demokrate Albana Vokshi ka debatuar me ministren e Shëndetësisë për fshehjen e të dhënave reale dhe për politizimin, sipas saj, të procesit të vaksinimit.

“Statistikat zyrtare, ndërkombëtare, të certifikuara, ku Shqipëria, me 805 mijë doza, është 28,3%. Pra, jemi të parafundit në rajon. Si mund të thoni jam krenare”, u shpreh Vokshi.

“Është fatkeqësi dhe ju lutem mos bëni politikë me vdekjen, sepse ua treguan shqiptarët edhe përgjigjen e politikës me vdekjen, është e mjerueshme. Sot, duhet të ishim duke folur ndryshe”, iu përgjigj Manastirliu.

Pas debatit politik mes Vokshit dhe Manastirliut, ekspertët e shëndetësisë kanë sqaruar se si përllogariten shifrat e vaksinimit referuar popullsisë target, mbi 18 vjeç. Deputetët e opozitës vijuan sulmet ndaj ministres Manastirliu për numrin e lartë të vdekjeve në vend dhe për keqmenaxhimin e situatës nga pandemia.

Gjatë diskutimit të marrëveshjes për blerjen e menjëhershme të 500 mijë dozave Pfizer, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se deri në fund të dhjetorit do të vijnë dhe 400 mijë të tjera përmes grupit COVAX. Ndërkohë, deri në mars të vitit të ardhshëm do të sigurohen 5 milionë doza anti-Covid.