Vdekja e gazetarit Kosta Grillo, reagon politika

Untitled collage 81 1100x620

Ndarja e parakohshme nga jeta e komentatorit të njohur sportiv, Kosta Grillo, për shkak të koronavirusit, ka sjellë dhe reagimin e krerëve më të lartë të shtetit.

Kryeministri Edi Rama e kujton Grillon si një shok fëmijërie dhe sportdashës i paepur dhe plot energji.

“Shok qysh prej fëmijërisë, pastaj zë i dashur i sfidave futbollistike për vite e vite, sportdashës i paepur e njeri plot energji pozitive… humbi jetën në sfidën me virusin e mallkuar”, shkruan Rama.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon për këtë humbje të botës së gazetarisë dhe sportit.

“Fatkeqësisht komentatori i njohur sportiv, Kosta Grillo, e humbi betejën me COVID-19. Një lajm i trishtë për sportdashësit që falë zërit dhe profesionalizmit të tij kanë njohur emocionet e fushës së gjelbër. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve”, shkruhet në reagimin e Lulzim Bashës.

Kosta Grillo u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare. Prej fillimit të muajit gusht, u transportua me urgjencë drejt Turqisë, për kurim të specializuar. Ai ka qëndruar në intubim gjatë gjithë kësaj kohe.