Xhaçka, kritika ndaj BE: Paqartësi për integrimin e rajonit

Në prag të samitit të Ballkanit Perëndimor, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka pritur Kryetaren e OSBE-së, e cila njëkohësisht është edhe shefe e diplomacisë suedeze, Anna Linde të cilës i shprehu shqetësimin për situatën e paqartë që vjen nga Bashkimi Europian për rajonin.

“Ndodhemi në një moment ku vetë rajoni, pavarësisht vështirësive e momenteve delikate, si ai i tensioneve në veriun e Kosovës, ka hedhur hapa shumë të mëdha përpara në rrugën e stabilizimit, zhvillimit e bashkëpunimit. Por ku siç e dimë të gjithë ka një paqartësi, që vjen nga BE, lidhur me hapat e mëtejshme të rajonit në procesin e integrimit europian. Dhe kjo paqartësi sigurisht, krahas dëmit që i bën reputacionit të BE, dëmton edhe paradigmën mbi të cilën është ngritur stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor”, tha Xhaçka.

Ministres së Jashtme të Suedisë, Xhaçka i foli dhe për transformimin e vendit dhe rajonit, si një dëshmi e rezultatit që mund të sjellë angazhimi i organizatave ndërkombëtare.

“Rajoni ynë, vetë Shqipëria, janë prova më e pakundërshtueshme e transformimit pozitiv që mund të sjellë angazhimi multilateral edhe në zona me konflikte që duken të pazgjidhshme. Është një eksperiencë historike që ka formësuar përkushtimin e vendit tonë ndaj organizatave ndërkombëtare dhe multilateralizmit”, u shpreh ministrja.

Linde dha mbështetjen e vendit të saj për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa inkurajoi homologen shqiptare që të vijojë edhe më tej.

“Vendimi i BE-së për të çelur negociatat për anëtarësim, është një gur kilometrik i marrëdhënieve tona, është një njohje dhe pranim i vendosmërisë dhe  punës së qeverisë dhe popullit shqiptar. Ne mirëpresim progresin që keni kryer dhe ju inkurajojmë të vijoni dhe më tej”, u shpreh Anna Linde.

Linde garantoi  angazhimin e OSBE-së në Shqipëri dhe në rajon për të vijuar reformat e nisura, ndërsa për t’i ardhur në ndihmë Tiranës, ofroi dhe asistencën e organizatës që përkohësisht drejton.