Ekonomia shqiptare, Banka Botërore: Rritje e dobët në dy vitet e ardhshme

Ekonomia shqiptare i ka ezauruar burimet e rritjes këtë vit dhe rimëkëmbja në 2022 dhe 2023 do të jetë shumë më e ulët nga sa u parashikua. Banka Botërore ka analizuar ecurinë e ekonomive botërore gjatë kësaj periudhe dhe në raportin e përditësuar për Europën dhe Azinë Qendrore, bën projeksionet për të gjitha shtetet.

Shqipëria këtë vit pritet ta mbyllë bilancin me një rritje ekonomike 7.2%, falë faktorëve si rindërtimi dhe mbiprodhimi i energjisë elektrike në gjysmën e parë të vitit, norma më e lartë e rritjes në rajon pas Malit të Zi, që u prek më shumë nga kriza. Por në vijim, rritja ekonomike për vendin tonë nuk do të kapërcejë 3.8% dhe 3.7%. Më dobët se ne, vetëm Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

I vetmi shans për të përshpejtuar rritjen në afatmesëm janë reformat strukturore në ekonomi, teksa vaksinimi i ulët, korrupsioni i gjithëpranishëm në sistem, rritja e çmimeve dhe mungesa e rreth 35 mijë vendeve të punës ende të parekuperuara prej pandemisë, do të bëhen pengesë.

Një rrezik gjithmonë prezent mbetet edhe borxhi i lartë publik i vendit, teksa hapësirat fiskale të qeverisë mund të përkeqësohen. Kjo veçanërisht me tkurrjen e bazës së tatimpaguesve, pas lehtësive në taksa të premtuara. Përballë këtij shqetësimi, qeveria mund të detyrohet të shkurtojë investimet publike, ndërsa prioritet, sipas Bankës Botërore, është rritja e efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave tatimore.