Gjarpërinj, por asnjë demon në Pusin e Ferrit në Jemen

Ekspedita e parë brenda Pusit të Barhout, ose Ferrit nuk zbuloi praninë e xhindeve, apo demonëve të tjerë në Jemen.

Jo pa frikë një ekip speleologësh të Omanit ka kryer atë që besohet të jetë zbritja e parë e kontrolluar në fund të Pusit legjendar Barhout (ose Pusi i Ferrit), në Jemen, një mrekulli natyrore e shmangur nga vendasit, të cilët besojnë se është një burg për xhindet. Pusi i majtë i Ferrit, hapja rrethore e të cilit ka një diametër prej rreth 30 metrash, ndodhet në shkretëtirën e krahinës lindore të Al-Mahra, në Jemen. Hapja, e cila sipas shumë njerëzve lëshon aroma të çuditshme, shkon rreth 112 metra nën sipërfaqen e tokës.

Në fund të pusit, grupi i speleologëve, të cilët janë pjesë e Ekipit të Hulumtimit të Shpellave të Omanit (OCET), gjetën gjarpërinj, kafshë të ngordhura dhe struktura tipike shpellash, por pa shenja të paranormalitetit. Mohammed al-Kindi, profesor i gjeologjisë në Universitetin Gjerman të Teknologjisë në Oman thotë: “Ne gjetëm gjarpërinj, por nuk na shqetësuan, të paktën nëse nuk i ngacmoje. Të shkoje atje poshtë, pavarësisht asaj që na thonë legjendat, nuk ishte e vështirë. Ne u shtymë nga pasioni për gjeologjinë dhe jemi të bindur se është diçka që do të na tregojë fragmente të reja të historisë gjeologjike të Jemenit”.

Përfundimisht janë mbledhur mbetje të shumta të shkëmbinjve, bimëve dhe kafshëve, dhe një studim mbi atë që zbuloi ekspedita do të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur.