Gledis Nano në krye të Policisë, Çuçi: Energji të reja për të realizuar objektivat

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka konfirmuar lirimin nga detyra të Ardi Veliut dhe emërimin në krye të Policisë së Shtetit të Gledis Nanos. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Çuçi tha se Ardi Veliu ka bërë një punë të mirë në krye të uniformave blu, por tani është koha për objektiva të reja.

Sot, qeveria mori vendim për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë z. Ardi Veliu dhe emërimin në këtë detyrë të z. Gledis Nano. Z. Veliu largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta, duke e çuar në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite performancën e Policisë së Shtetit, e këtë falë përkushtimit maksimal, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së jashtëzakonshme që ka demonstruar z. Veliu në këto 4 vite në drejtimin e Policisë së Shtetit. Besoj se të gjithë treguesit e sektorit të Policisë flasin për një rritje edhe një standard të krijuar tashmë të performancës së Policisë së Shtetit në nivele maksimale. Sigurisht në detyrë z. Nano, që e zëvendëson, i cili edhe ai është një oficer karriere dhe së fundmi ka shërbyer për një kohë të gjatë, si Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, padiskutim që ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit në këto vite”, tha Çuçi.

Më tej, Çuçi u shpreh se deklarata e tij lidhur me kandilin u keqinterpretua, por gjatë drejtimit të Policisë së Shtetit nga Ardi Veliu, policia ka rritur standardet dhe të gjithë treguesit flasin në favor të tij.

“Besoj se në radhë të parë keni keqkuptuar atë pjesën e “kandilit”, sepse ato janë situata që krijohen në një dinamikë komunikimi me opozitën në komisionet parlamentare, megjithatë atë t’ia lëmë atij momenti. Thashë, unë kam vlerësim maksimal për z. Veliu, e ju thashë që në të gjithë sektorët duke filluar nga numri i vrasjeve është përgjysmuar nga 2013, apo Operacioni ‘Forca e Ligjit’ që ka çuar në pranga 78 anëtarë të krimit të organizuar, apo ka sekuestruar 200 milionë euro vetëm në këto vite, apo perfomanca dhe besueshmëria që është rritur ndaj institucionit të Policisë së Shtetit, që ka qenë në nivelin 35% në 2013 dhe sot është në nivelet e 65%, e bërë kjo nga sondazhe të pavarura, sigurisht të financuara nga organizatat ndërkombëtare e në rastin konkret ka qenë Suedia, e bërë me të njëjtën metodologji. Pra, janë të gjithë treguesit që flasin, se kemi arritur një standard të caktuar”, theksoi ministri i Brendshëm.

 Afatit 100-ditor i vënë nga kryeministri Rama, ministri i Brendshëm shtoi se gjithmonë ka afate dhe objektiva për të çuar më para dhe përmirësuar Policinë e Shtetit.