“Jo rritjes së çmimeve”, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë

Qindra qytetarë kanë protestuar pasditen e sotme kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe rritjes së çmimit të produkteve të tjera në vend, duke filluar nga buka. Ashtu siç ishte paralajmëruar në rrjetet sociale, qytetarët kanë organizuar protestën, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi krizën e jashtëzakonshme energjetike dhe rritjen e çmimit të energjisë.

Me pankarta në duar ata shprehin kundërshtinë ndaj rritjes së çmimeve, pasi sipas tyre varfëria është forma më e keqe e dhunës.

“Hallet tona zgjidhen vetëm duke u bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimit të bukës e karburanteve”, thotë një protestues.

Qytetarët kundërshtojnë rritjen e çmimeve dhe kërkojnë uljen e tyre dhe të produkteve të shportës përfshirë edhe atë të ilaçeve.

“Edhe buka edhe uji edhe të gjitha. Jam i sëmurë dhe ilaçet jo që nuk na i japin por duhet të paguajmë, pa asnjë rimbursim. I kanë shtrenjtuar çmimet e ilaçeve. I kanë ngritur çmimet në maksimum”.

“Ka ardhur koha t’i themi ndal kësaj klase politike se këto janë karakteristikat më të këqija të klasës politike shqiptare, janë karakteristika sataniste. Janë hajdutë të pangopur nuk njohin drejtësi dhe janë të pashpirt. Kanë shkatërruar ëndrrat e rinisë shqiptare”, thotë një tjetër.

“Po i mbajnë njerëzit të varfër që t’i kontrollojnë prandaj duhet të bëhemi bashkë për të treguar që këtu është limiti dhe nuk kalohet përtej kësaj”, shprehet një tjetër protestues.

“Shqipëria nuk është në gjendje të përballojë kriza të tilla. U bëj thirrje bashkëmoshatarëve të mi të dalin dhe të protestojnë për të drejtat e tyre”, apelon një studente.

“Në vite asnjë pagë e pension nuk është rritur në 8 vite, por janë vjedhur nga KLSH 8 milionë euro. Janë hajdutë se po të donin të punonin i gjenin këshilltarët për shëndetësinë energjetikën e arsimin, por nuk duan se duan të vjedhin. Si derrat në llucë zhyten në pasuritë publike. Ne bashkë do t’ia dalim ta zbojmë këtë bandë hajdutësh”, shprehet një tjetër.