Kriza energjetike, Ahmetaj: Paketa për të mbrojtur familjarët dhe biznesin e vogël, furnizim të pandërprerë me energji

Zv/kryeministri Arben Ahmetaj, në konferencën e radhës për shtyp, pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi se në ditët në vijim kryeministri Rama do të prezantojë paketat ekonomike në ndihmë të konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël për të përballuar krizën energjetike që po troket.

Sipas Ahmetaj, qeveria po monitoron situatën energjetike edhe në bursa dhe shtoi se do të merren të gjitha masat për furnizim të pandërprerë me energji elektrike.

“Situatës energjetike në vend. Kam bërë një informacion për kabinetin për situatën energjetike. Situata është konsekuencë e krizës globale. Ne kemi zgjedhur të jemi në një ekonomi tregu që influencohet nga ekonomia globale dhe sidomos për mallra të kuotuara në bursa. Ju e keni dëgjuar se çfarë po ndodh në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike. Është shtuar kërkesa për energji për shkak të ringritjeve ekonomike të ekonomive të mëdha si Kina, apo sjelljes së Rusisë. Çmimet po lëvizin në vazhdimësi, ditë për ditë. Një pjesë e vendeve e kanë transferuar koston te konsumatorët.

Kryeministri ka ngritur një grup për të monitoruar çdo moment situatën energjetike. Vala prek dhe brigjet e Shqipërisë, por jemi të gatshëm të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Brenda javës kryeministri do të shpalosë masat për mbrojtjen e familjarëve dhe biznesit të vogël. Ne do të mbrojmë konsumatorin familjar nga kriza energjetike dhe rritja e kostove. Ministrja e Infrastrukturës, kompanitë po punojnë për të garantuar furnizim të pandërprerë të energjisë dhe për blerjen e energjisë”, deklaroi Ahmetaj.