Kurti në Slloveni: BE duhet të zgjerohet për të qenë Europë

Mosmbajtja e premtimit për liberalizimin e vizave është një padrejtësi e madhe nga BE. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti pas mbërritjes në Bërdo të Sllovenisë, për takimin  mes liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ai shtoi se mbetet me shpresë së Blloku do ta mbajë fjalën e dhënë.

“Ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë. Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”.

Kurti foli edhe për 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën, duke i bërë thirrje t’u bashkohen vendeve të tjera që e njohin pavarësinë. Mediat spanjollë, shkruajnë se kryeministri Pedro Sanchez ishte siguruar se në samitin e sotëm në Slloveni nuk do të kishte simbole shtetërore pasi Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Edhe në takimin përmes video-lidhjeve, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet janë shmangur, dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë vit. Bashkë me Spanjën, edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.