Liga e Kombeve, Italia dhe Spanja kërkojnë finalen dhe biletën e botërorit

SOT ITALI SPANJE LIGA E KOMBEVE frame 637 1100x620

Tre muaj më parë, Spanja dominonte përgjatë 90 minutave, ndërsa Italia fitonte ndeshjen me penallti dhe kualifikohej për në finalen e madhe të Kampionatit Evropian.

Sot në mbrëmje, dy gjigantët e Europës vihen edhe njëherë përballë në të njëjtat rrethana, në një tjetër gjysmëfinale, por finalja vlen për Ligën e Kombeve, turneun që të jep mundësinë të kualifikohesh direkt në Botërorin Katar 2022.

Italia vjen si kampione e Europës, megjithatë përballë iberikëve, një tjetër qëllim i skuadrës së Roberto Mancinit, është përmirësimi i lojës dhe jo vetëm mbrojtje, për të mos e lënë fatin e takimit edhe njëherë te penalltitë.

Gjendur në mungesë të një sulmuesi pykë, tekniku italian do të projektojë një tjetër formacion me një numër 9 fals dhe opsionet janë të shumta.

Insigne mund të formojë sulmin me Chiesa, Berardin, Bernardeski apo dhe Pelegrinin që mund ta bëjë shumë mirë atë rol. Gjasat janë shumë të larta që edhe te Spanja të zbresin në fushë me këtë mënyrë lojë.

Me Moratan, Moreno dhe Dani Olmo jashtë prej dëmtimeve, trajneri Luis Enrike do të përdorë sulmuesin Ferran Torres në atë rol.

Mungesat janë të shumta në kampin spanjoll, të cilët nuk do të kenë në dispozicion as Marcos Llorente e Pedri në mesfushë apo dhe Jordi Alba në mbrojtje, i cili ka bërë që të rikthehet Marcos Alonso tek La Roha pas 3 vjetësh. 48 orë përpara ndeshjes San Siro u ezaurua plotësisht, ndërsa u shitën menjëherë të 37 mijë biletat e vëna në dispozicion.