Nuk zhbllokohet zgjerimi as në Samitin e Sllovenisë, BE rikonfirmon angazhimin ndaj rajonit

Përditësuar më: 6/10/2021, ora 16:48

Nuk zhbllokohet zgjerimi as në Samitin e Sllovenisë, BE rikonfirmon angazhimin ndaj rajonit

Përditësuar më: 6/10/2021, ora 16:48

Samiti mes liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë u mbyll pa progres konkret në procesin e zgjerimit. Pavarësisht ofensivës diplomatike të zhvilluar në prag të samitit, me Merkel dhe Macron që ndërmjetësuan takime mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe presidentit bullgar, Sofja nuk e tërhoqi veton ndaj Shkupit.

Në deklaratën finale të samitit liderët e BE rikonfimrojnë përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, ndërsa e cilësojnë perspektivën europiane të rajonit në interesin strategjik të të dyja palëve.

“Pika e parë dhe më e rëndësishme që u diskutua në këtë samit është që ky rajon ka një rëndësi strategjike për BE-në. Duke e thënë këtë ne e rikonfirmojmë perspektivën europiane të rajonit dhe shpresoj që do të punojmë për të pasur sukses në zgjerimin e BE-së”

Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian

“Mesazhi i Komisionit është shumë i qartë. Ballkani perëndimor është pjesë e të njëjtës Europë si Bashkimi Europian. Ne ndajmë të njëjtën histori, të njëjtin interes, të njëjtat vlera. Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, prandaj komisioni i drejtuar nga unë do të bëjë gjithçka të mundur të për të çuar përpara procesin e zgjerimit”

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian

Bashkimi Europian përshëndet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në shërbim të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit dhe për përpjekjet e qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar, por thekson se besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga implementimi kuptimplotë i reformave të nevojshme.

“Është e qartë se partnerët tanë në Ballkanin perëndimor po ndërmarrin reforma të rëndësishme. Nuk po them se janë aty ku duhet, por progresi është dukshëm dhe shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Tani është e rëndësishme të qëndrojnë në kurs, sa i përket çështjeve kyçe, si drejtësia, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave dhe reformat ekonomike”

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian

Ndërsa e theksoi se mungesa e një vendimi për të bërë përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, po minon besueshmërinë dhe rolin e BE në rajon, Von der Leyen e vuri theksin tek përpjekjet e shtuara për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mbështetja e fortë ekonomike për rajonin ishte një çështje të cilës iu kushtua vëmendje e theksuar gjatë samitit.

Pikat kyçe nga deklarata finale

Dialogu Kosovë-Serbi

Mbështesim plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit special të BE për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Presim përparim konkret nga të dy palët për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes tyre, diçka kritika për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që ata mund të vijojnë rrugëtimin respektiv europian.

Deklarata e Bërdos, Samiti i BE për Ballkanin Perëndimor

Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor

Në Samitin e Zagrebit BE prezantoi një plan investimesh (EIP – Economic and Investment Plan), me një paketë prej 30 miliardë eurosh për 7 vitet e ardhshme, 9 miliardë në formë grantesh dhe 20 miliardë në formë investimesh.

Për të maksimalizuar këto fonde, duhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin reforma shoqërore dhe ekonomike, si edhe të forcojnë sundimin e ligjit. Plani mund të nxisë përparimin afatgjatë në këto vende.

Komisioni Europian synon të propozojë një paketë investimesh me vlerë 600 milionë euro si pjesë e mekanizmit IPA 2021, për zbatim në vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkë me propozimin për 500 milionë euro investime të shpallur në korrik, shuma totale për zbatim brenda Planit Ekonomik dhe të Investimeve (EIP) arrin në 1,1 miliardë euro brenda vitit 2021.

Deklarata e Bërdos, Samiti i BE për Ballkanin Perëndimor

Kërcënimet e sigurisë për BE dhe Ballkanin Perëndimor

Do të forcojmë bashkëpunimin për të adresuar disinformimin dhe kërcënime të tjera hibride, që vijnë veçanërisht nga aktorë të tretë, që kërkojnë të minojnë perspektivën europiane të rajonit. BE dhe Ballkani Perëndimor do të përforcojnë bashkëpunimin në sigurinë dhe diplomacinë kibernetike. i lavdërojmë partnerët tanë për përpjekjet e vazhdueshme dhe bashkëpunimin konstruktiv për emigracionin, që ka dhënë rezultate të qarta. Menaxhimi i emigracionit është një sfidë e përbashkët dhe palët duhet të merren me të bashkërisht, në partneritet të afërt.

Terrorizmi, radikalizimi dhe krimi i organizuar vijojnë të përbëjnë kërcënim serioz për BE-në dhe gjithë rajonin. Bëjmë thirrje për përforcim të mëtejshëm të bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, përfshi edhe parandalimin e financimit të terrorizmit dhe radikalizimit.

Bëjmë thirrje për rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve të vendosura për të adresuar problemet e krimit të organizuar, veçanërisht atë të trafikimit të qenieve njerëzore, pastrimit të parave dhe kultivimit dhe trafikimit të drogës.

Deklarata e Bërdos, Samiti i BE për Ballkanin Perëndimor