Refugjatët në kufirin sirian, imazhe të fiksuara nga një perspektivë tjetër

Me miliona refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Iraku që lanë shtëpitë e tyre gjatë dekadës së fundit, u bënë imazhet dëshpëruese në faqet e para të gazetave botërore. Por në Mardin, Turqi, një qytet afër kufirit sirian, ku gjenden rreth 100 000 refugjatë, programi “Sirkhane Darkroom” po u jep fëmijëve dhe adoleshentëve mundësinë të dokumentojnë përvojat e tyre duke fiksuar imazhe të ndryshme.

Projekti u themelua në vitin 2017 dhe filloi të udhëtonte përgjatë kufirit duke mbledhur së bashku refugjatë për t’i mësuar se si të përdorin kamerat dhe të printojnë fotografitë e tyre si një mjet për vetë-shprehjeje. “Ato janë fotografi shumë domethënëse nga fëmijët, sepse na tregojnë jetën e tyre në mënyra të ndryshme … duke përdorur një aparat të thjeshtë”, tha Salih, drejtuesi i programit.

Imazhet bardhezi – më shumë se 100 prej të cilave tani janë botuar në librin “I saw the air fly” – demonstrojnë se si fotografia mund të jetë një mjet për “shërimin” e njerëzve dhe jo vetëm një mënyrë për të dokumentuar traumat.

“Ne u ndeshëm me njerëz nga prejardhje të ndryshme – refugjatë dhe njerëz vendas – të cilët flisnin gjuhë të ndryshme si kurdisht, turqisht ose arabisht, por duke mos arritur të komunikonin mes tyre. Patëm idenë të përdorim fotografinë si terapi, t’i lëmë ata të shprehen dhe t’i bashkojnë të gjitha këto bashkësi të ndryshme përmes fotografisë”, thekson Salih për CNN.