Risitë e protestës, revolta e parë kundër rritjes së çmimeve

Kjo ishte protesta e parë e organizuar kundër rritjes së çmimeve dhe që nuk u lejua të politizohej. Ndërkaq, protesta pati edhe disa risi të tjera.

Kjo protestë solli edhe risitë e saj në historinë e revoltave popullore kundër një qeverie. Fillimisht, kjo është protesta e parë që i drejtohet qeverisë Rama 3, pra një kabineti të ri ministror, të formuar pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Së dyti, kjo është protesta e parë kundër rritjes së çmimeve, pasi në të kaluarën protestuesit janë mbledhur për të përkrahur kauza politike, ndërsa kësaj radhe nuk u lejua politizimi i këtij grumbullimi.

Risia tjetër e kësaj proteste është se ajo përkon me ditën e parë të Gledis Nanos, në krye të Policisë së Shtetit, pra i gjithë menaxhimi i strukturave policore ishte në dorë të tij. Por edhe për ministrin e ri të Brendshëm, Bledi Çuçi kjo ishte ndër protestat e para, pasi ai u emërua në këtë post fillimisht në kulmin e demonstratave për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie.

Për hir të së vërtetës, protestuesit kësaj radhe ishin paqësorë, ndaj policisë iu desh të luante vetëm rolin e vëzhguesit, teksa efektivët që ndodheshin tek 3 apo 4 automjetet e Forcave Speciale, pas kryeministrisë, nuk u angazhuan në këtë protestë.