Dyshohet se punonin si agjentë, NATO dëbon 8 diplomatë rusë

natookk 1100x620

NATO njofton se ka dëbuar 8 anëtarë të misionit rus pranë aleancës ushtarake, pasi dyshoheshin se punonin në fshehtësi si agjentë të zbulimit.

“Mund të konfirmojmë se kemi tërhequr akreditimin e tetë anëtarëve të misionit rus në NATO, të cilët ishin punonjës të padeklaruar të inteligjencës ruse”, tha një zyrtar i NATO-s.

Sipas “Zërit të Amerikës”, zyrtari që donte të mbetej anonim tha se, politika e NATO-s ndaj Rusisë mbetet konsistente dhe janë forcuar masat dhe mbrojtja në përgjigje të veprimeve agresive të Kremlinit zyrtar.

Ligjvënësi rus, Leonidm Slutsky, kreu i komisionit të çështjeve ndërkombëtare të parlamentit, tha se Moska do të hakmerrej për këtë vendim të Aleancës Euroatlantike, por nuk dha detaje.

Marrëdhëniet NATO-Rusi janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme që kur Moska aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.