Epidemiologu Alimehmeti: Do të ulet numri i vdekjeve nga Covid-19. Nuk besoj të ketë një variant të ri

“Shifrat janë në rënie. Ky trend rënës do të përkthehet edhe me rënie të shifrave spitalore dhe të humbjeve të jetës. Gjithsesi, rastet e reja mbeten në nivele të larta. Kur flasim për këto shifra, i referohemi rasteve zyrtare. Ne dimë shumë mirë se kemi edhe raste të tjera. Se sa do të ndikojë nisja e shkollave, kjo mbetet për t’u parë”.

Kështu u shpreh në Ditarin e mesditës në A2 CNN epidemiologu Ilir Alimehmeti, teksa foli për situatën e pandemisë në vendin tonë.

Epidemiologu u shpreh se është shumë e vështirë për të bërë parashikime për të ardhmen, por theksoi se në dimër pritet një rritje e infektimeve, por jo e rasteve të rënda.

“Askush nga ne nuk ka një sferë kristali për të parashikuar të ardhmen, pasi varet nga shumë faktorë. Së pari, nëse do të ketë një variant të ri. Megjithatë, zor se do të ketë një variant të ri, por kurrë mos thuaj kurrë. Së dyti, sa zgjat imuniteti mbas dy dozave të vaksinës? Qartësisht kemi një rënie të imunitetit nga vaksinat me kalimin e kohës. Ndërsa imuniteti natyror është në gjendje të mbajë më shumë. Në qoftë se ne kemi përgjigjen e këtyre pyetjeve mund të llogarisim valën e radhës.

Me sa dimë, ne mund të themi tani se patjetër dimri do të ketë rritje rastesh, por me faktin që shumica ka fituar imunitet me vaksinë apo e kanë kaluar koronavirusin, do të bëjë që rastet e rënda të jenë shumë më të ulëta”, u shpreh Alimehmeti.