Italia mposhtet pas 37 ndeshjeve, Spanja në finale të Nations League

spanja ok 1100x620

Një ndeshje plot raste goli por edhe fishkëllima të publikut të “San Siro” i jep Spanjës finalen e Nations League, falë fitores 2-1 ndaj Italisë që në atë stadium nuk kishte humbur kurrë.

Fishkëllimat ishin të gjitha për portierin Donnarumma, që rikthehej për herë të parë në Milano pas “tradhtisë”  me PSG, por edhe për vendimin e arbitrit që la kampionët e Europës në fuqi me 10 lojtarë pasi i tregoi Leonardo Bonuccit kartonin e kuq  si rezultat i një faulli dhe disa protestave.

Protagonistë për Spanjën ishin sulmuesi i Manchester City Ferran Torres dhe 17-vjeçari Gavi, shpresa e Barcelonës për të ardhmen.

Pikërisht Torres kalon në avantazh “La Roja” në minutën 17 pas një krosimi të Oyarzabal, që do të përsëritej edhe në minutën e fundit shtesë të pjesës së parë me një aksion fantastik të dy futbollistëve. Në mes të dy golave, Italia kishte patur rastet e saj, veçanërisht me Bernardeschi dhe Insigne, por pa mundur të tundte rrjetën.

Në pjesën e dytë djemtë e Roberto Mancinit arrijnë të shkurtojnë rezultatin me romanistin Pellegrini, por Spanja është e aftë të mbrohet dhe të sigurojë finalen.

Për Italinë ky është fundi i rekordit që e shihte të pamposhtur prej 37 ndeshjesh, rekord botëror ky. Spanja do të presë fituesen e gjysmëfinales Francë-Belgjikë.