Krasniqi: PD ndeshet për herë të parë me debatin e brendshëm dhe nuk di ta menaxhojë

Për analistin Afrim Krasniqi shqetësim nuk është përçarja në PD, por mosmenaxhimi i debatit të brendshëm që ndodh që për herë të parë në këtë parti. Në studion e “Absolut 4” ai tha se situata në PD është absurde, ku njëra palë i largohet debatit dhe pala tjetër shkon pas ish-kryetarit dhe kjo nuk lidhet as me të ardhmen e Shqipërisë dhe as me sfidat e opozitarizmit.

“Shqetësim nuk është që ka përçarje, por që për herë të parë ndeshet me debatin e brendshëm që nuk ka patur kurrë dhe nuk di ta menaxhojë siç duhet ta bënte me modelin e partive të djathta europiane. Edhe në CDU po i kërkojnë dorëheqjen kryetarit aktual. Ne shohim një situatë absurde ku njëra palë i largohet debatit kryesor të ditës dhe pala tjetër që shkon pas ish-kryetarit të PD-së luan një rol populist, duke shkuar pas një ideje që nuk e nderon PD-në. Në thelb është një situatë që lidhet me individin dhe jo me të ardhmen e Shqipërisë as me sfidat e opozitarizmit në Shqipëri”.

Sipas Krasniqit e gjithë kjo situatë po favorizon palën tjetër kundërshtare që po shijon qeverisjen.

“Të dalësh të thuash që unë nuk e dua këtë gjë por më kanë detyruar ta bëj është një akt që nuk e bën asnjë lider në botë. Partia ka statut kryesi, Këshill Kombëtar e Kongres. Pse nuk kërkojnë mbledhje strukturash por bëjnë debat në publik. Aq shumë baltë që do hedhin te njëri-tjetri sa shkon në favor të palës tjetër që po shijon qeverisjen”.