Kriza energjetike, OSHEE nuk ka aplikuar ende për rritje çmimesh

Në kulmin e debatit për krizën e energjisë dhe një rritje të mundshme të çmimit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk ka dorëzuar ende aplikim për rritje të tarifave.

Kjo gjë u bë e ditur nga administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, i cili ndërhyri në lidhje telefonike në emisionin A2 Business, ku debatoi me ish zv.ministrin e Energjetikës, Enno Bozdo lidhur me tregun e energjisë dhe furnizimin e operatorëve. 

Zyrtarisht, kompanitë energjetike, KESH, OSHEE dhe OST i dorëzojnë aplikimet për ndryshim të çmimit në muajin nëntor dhe kërkesat e tyre shqyrtohen nga Enti Rregullator i Energjisë dhe vendimi merret prej ERE-s brenda dhjetorit.

Një ditë më parë, zv.kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi se do të merren masa për të ndihmuar të varfrit nga kriza energjetike, duke e lënë të hapur mundësinë e rritjes së çmimit. Por plani i plotë i masave për përballimin e situatës me energjinë do të shpallet brenda javës. 

OSHEE nuk ka aplikuar për rritje të çmimit vitet e fundit. Që prej vitit 2019, abonentët familjarë paguajnë 9.5 lekë për kilovat orë, ndërsa bizneset 11 lekë për kilovat orë. Ndërsa çmimi mesatar i energjisë përllogaritet në 10.8 lekë për kilovat orë.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, bazuar në të dhënat e Institutit Europian të Statistikave, ne paguajmë më shtrenjtë për energjinë se të gjitha vendet e tjera, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës.