Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Lëvizjet në PD, Ristani: Formatim i partisë, e pakapur nga Rama. Hasimja: Jo rrokadë emrash, por moral të ri

Nga A2 CNN
7 Tetor 2021, 20:41 | Politikë
Lëvizjet në PD, Ristani: Formatim i partisë, e pakapur nga Rama.

Lëvizjet brenda PD-së dhe kryesisht lëvizja e ish-kryetarit Berisha, për ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD-së i bashkon kthimi i partisë në shinat e statutit. Sipas tij kërkesa për të mbledhur Kuvendin ka në themel rishikimin dhe ndryshimin e statutit për ta vënë PD-në në bazat e duhura për të kërkuar llogaridhënie, që d do t’i vlejë, jo vetëm PD-së, por edhe politikës shqiptare, thotë ai.

“Ka lëvizje brenda PD-së po të gjithë i bashkon kthimi i PD në shinat statutore dhe formatimi i PD i pakapur nga Rama dhe e palidhur me interesa financiare me të. Fakti është që të gjithë përputhemi dhe bashkohemi te statuti. Kërkesa që është bërë për të mbledhur kuvendin e PD, ka në themel rishikimin dhe ndryshimin e statutit për ta vënë PD-në në bazat e duhura për të kërkuar llogaridhënie nga kryetari, i cili ndonëse është humbësi më i madh vazhdon të mbajë karrigen në mënyrë jodemokratike. Të bëjmë një ushtrim demokratik që do t’i vlejë PD-së dhe politikës shqiptare  sesi mblidhet një kongres i jashtëzakonshëm, sesi baza vepron kundër liderëve autokratikë dhe ky do të jetë shembull për jetën politike”.

Edhe lëvizja e Berishës sipas Ristanit është e duhura, pasi kërkon një parti më të madhe se kryetari. Ai thekson se Basha është në largim pasi ka humbur besimin e anëtarësisë  dhe në rast se do të mblidhet mbi 50% e kuvendit të PD është shumë e thjeshtë, se ata kanë fuqi vendimmarrëse.

“Unë besoj që kjo është lëvizja e duhur që duhet të reflektojë në spektrin politik shqiptar. Ne kërkojmë një Parti Demokratike më të madhe se kryetari. Partitë tona duhet të dalin mbi njehsimin me kryetarin që është reminishencë leniniste. Këto duhet të largohen nga jeta jonë politike. Basha është i ikur se askush nuk ka më besim te ai, demokracia është gjithmonë në favor të shumicës dhe në rast se do të mblidhet mbi 50% e Kuvendit të PD është shumë e thjeshtë, se ata kanë fuqi vendimmarrëse. Te kërkesa për mbledhjen e Kuvendit është dhe një risi thirrja e një referendumi për t’i rikonfirmuar vendimet e Kuvendit të PD”.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Hasimja, kur thotë se çështja brenda PD zgjidhet në momentin që ka një shumicë e qartë. Dhe nëse ky proces do të shkojë si duhet do të ishte një precedent i rëndësishëm jo vetëm për PD, por për skenën politike shqiptare në përgjithësi.

“Çështja brenda PD zgjidhet në momentin që është një shumicë e qartë pavarësisht se mund të ketë vështirësira juridike probleme konfliktesh të brendshme, por kur ka një shumicë të qartë në cilindo nga dy drejtimet do sqarohen shumë kollaj. PD mund ta zgjidhë çështjen, por shqetësimi qytetar është sa e aftë është PD për rolin e saj si opozitë. Edhe në këtë konflikt të brendshëm të PD është që kemi një zhvillim të demokracisë së brendshme po ndërtohet skenografia e dramës, por nëse ky proces do të shkojë si duhet do të vendoset një precedent i rëndësishëm jo thjesht për PD, por për skenën politike shqiptare në përgjithësi”.

Por Hasimja thekson se lëvizja brenda PD është shumë e mirë nëse sjell energji të reja dhe moral jo rrokadë emrash. Sipas tij Berisha ka tjetër rrugë dhe PD tjetër destinacion.

“Mënyra sesi po shkonin gjërat nuk besoj që PD kishte sy për të ardhur në pushtet apo me një projekt të ri serioz. Nga kjo pikëpamje lëvizja është shumë emirë. Por e gjithë kjo luftë civile mos të përfundojë me zëvendësime e rrokada por të sjellë energji e moral të ri brenda PD. PD ka plot njerëz me integritete sikurse mund të ketë brenda mazhorancës. Berisha ka një betejë personale dhe në politikë shumica e rasteve betejat janë personale. Gjithmonë janë nxitje personale. Pyetja është që çfarë sjell kjo për PD. Një nga gjërat e mira është që të gjitha problemet e kritikat që janë shuar tani kanë gjetur një lloj automjeti për t’u vënë në rrugë. Ky është roli pozitiv dhe hapja e debatit. Por Berisha ka tjetër rrugë dhe PD ka tjetër destinacion”.

Për Ristanin, Partisë Demokratike do t’i duhet një periudhë tranzitore deri në pjekjen e mendimit për kandidaturën që do të zëvendësonte zotin Basha.

“PD ka pasur njerëz që kanë drejtuar institucione, ka prodhuar njerëz që dinë të drejtojnë partinë, jo vetëm shtetin, por nuk do të jetë e vështirë që emra do të ketë. Në garën e fundit ishin 3 emra të tjerë por nuk mund të përmend emra në këtë moment, por do t’i nevojitet një periudhë tranzitore deri në pjekjen e mendimit për kandidaturën që do të zëvendësonte zotin Basha”.

Ai thotë se beteja nuk është mes Berishës e Bashës, por mes demokratëve dhe këtij të fundit, që sipas tij ka kapur për fyti PD-në.

“Deklarimet e Berishës nuk kanë qenë befasuese se jam më vonë se zonja Topalli por nga të parët që jam artikuluar kundër mënyrës si po vepronte Basha në PD dhe të gjithë kemi konstatuar është peng i kryeministrit dhe i blerë prej tij. Për mua nuk ka shkaktuar habi gjuha e Berishës. Konfirmimi i mendimeve tona nuk na bënte të lumtur, pro problemi është që na duhet zgjidhja dhe beteja sot është betejë midis demokratëve dhe Bashës si autokrat. Berisha është katalizator i fuqishëm por konflikti është mes njerëzve të PD-demokratëve dhe Bashës që e ka kapur për fyti PD”.

Ai hodhi poshtë deklaratat e Bashës në lidhje me mbledhjen e Kuvendit për shkak të vendimit të administratës amerikane dhe tha se kuvendi do të mblidhet për shkeljet në statut nga Basha.

“Në mënyrë djallëzore ai thotë që Kuvend që merr në shqyrtim të administratën amerikane nuk do të ketë. Askush nuk çon nëpër mend një vendim të administratës amerikane, por një kuvend që merr në shqyrtim hallet tona dhe shkeljet e statut nga Basha. Kur ai përdor shprehjen kurrë është në rolin bazë të gënjeshtarit që gënjen edhe për orën. Ai tha kurrë nuk do të bëjë zgjedhje me Ramën dhe na shkatërroi. Tha kurrë për shembjen e Teatrit. Sa herë ai thotë kurrë gënjen. Sikur asgjë të mos ndodhë Basha mund të jetë kryetar i vulës, por jo i demokratëve. Askush nuk e beson më atë të gjithë e dinë që është i kapur dhe është aq i vogël që shtyn kohën se mban dyqanin hapur”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë