Rritja e çmimeve, Basha e Rama nuk kursehen në akuza e debate

E enjtja është dita kur Rama e Basha komunikojnë së bashku. Jo dialogu normal për reforma në interes të vendit, por ai i akuzave e kundërakuzave.

“Varfëri, terror, propagandë, ky është trinomi i këtij dhe i bandës që mban peng qeverisjen e vendit përmes masakrave zgjedhore”, thotë lideri i PD-së.

“Ju e keni gjetur zgjidhjen, “hajdutët, oligarkët, koncesionet”, por këto vlejnë për veshët e atyre që ju besojnë pa mendje, por ata nuk janë shumicë dhe nuk kanë për t’u bërë shumicë”, i përgjigjet kryeministri.

Thelbi i debatit ndërmjet kryetarëve të dy partive më të mëdha ishte kriza energjetike e paralajmëruar nga Edi Rama. Sipas Bashës, kjo është një manovër për korrupsionin e radhës.

“Gogoli i 8 viteve doli për të trembur qytetarët, tellalli i së keqes doli për t’i rënë daulleve të panikut dhe të justifikimit për mprehjen e sëpatës që po lëshon sërish në qafën e drobitur të shqiptarëve dhe buxheteve të tyre familjare”, thotë ai.

Epiteti opozitar duket se i mbeti në vesh Edi Ramës. “Mos u ngusni t’i thoni do t’ju rrisë çmimin e energjisë gogoli se do dilni shumë keq”, thotë.

Kryeministri nuk nguroi t’i tregonte muskujt e palestruar nga votat e 25 prillit. “Nuk zgjidheni dot, sepse shqiptarët nuk janë budallenj, siç i trajtoni ju kur flisni këtu, a thua se keni ardhur nga hëna! – këtu ju kam gjetur e këtu do ju lë”, ishin fjalët e kreut të qeverisë.

Por opozitarët janë të bindur se forca e socialistëve nuk është reale. Për Bashën, “lypset një krizë për të mbuluar dështimin, keqmenaxhimin dhe korrupsionin e pakicës që drejton me vota të vjedhura të masakrës zgjedhore”.

Pas mbi gjashtëdhjetë minutave debate, situata u qetësua dhe stafeta e përplasjes kaloi nga shefat te vartësit.