SPAK nis procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla

Llalla 1100x620

Dy javë kërkime në Shqipëri i kanë mjaftuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të nisë procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i dënuar me 2 vite burg.

Gjatë këtyre 2 javëve ai nuk është mundur të lokalizohet brenda vendit, si gjatë kontrollit në vilën e tij ashtu edhe nga kërkimet në disa zona të tjera. Kësisoj, Policia e Tiranës i dërgoi një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, SPAK, për ta informuar për rezultatet negative të kërkimeve.

Momentalisht, mësohet se Adriatik Llalla ende nuk është rezulton në listën e personave në kërkim ndërkombëtar edhe pas një kërkimi të thjeshtë në faqen e Interpol, por nëse kërkimet në Shqipëri nuk do të sjellin rezultat, atëherë emri i tij do të jetë në këtë listë.

Para 2 javësh, Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Gjithashtu atij do t’i sekuestrohet pasuria dhe do t’i hiqet e drejta për 5 vjet nga ushtrimi i posteve publike.