“Thyerja e herësit votëbesim”, Xhafaj nderon kolegët e larguar, “harron” Pandeli Majkon

Në fjalën e tij të parë në legjislaturën e re, Fatmir Xhafaj që ishte mes deputeteve të paktë që arriti të thyente herësin, shpjegon se si siguroi një ulëse në parlament pavarësisht se ishte renditur i 23-ti në listën e socialistëve për qarkun e Tiranës.

Besimin e marrë nga votuesit e cilësoi si një vlerësim për atë çfarë ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij në politikë. “Shumë janë përpjekur ta përkufizojnë në mënyra të ndryshme, por di të them që nuk ishte ndonjë formulë magjike, por fuqia reale e votës së lirë dhe të ndershme kur njerëzit besojnë te forca e tyre, por dhe te përfaqësuesi i tyre. Andaj edhe nga kjo foltore me përunjësi dua t’u them përsëri e përsëri mirënjohje të gjithëve!”, tha ai.

Xhafaj nuk harroi që të përmendte disa nga kolegët të cilët nuk do jenë më pjesë e parlamentit, duke i cilësuar si model të ruajtjes së integritetit pavarësisht përfshirjes në politikë.

“Disa kolegë dhe kolegë deputetë të mandatit të kaluar që për arsye të ndryshme, të thëna apo të kuptuara, nuk do të jenë më pjesë e kësaj salle. Fjala e tyre e mençur, politike dhe profesionale, në këtë foltore, natyrisht që do të na mungojë shumë. Vasilika, Besniku, Eglantina, Ervini, Elena, Ditmiri, Musai dhe kolegë të tjerë, të këtij krahu, në pamundësi ti përmend të gjithë, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm me dijet, fjalën dhe punën e tyre gjithë këto vite, por mbi të gjitha me integritetin, dinjitetin dhe forcën e shembullit”, vijoi Xhafaj.

Mes atyre që zgjodhi të veçojë me emër, ra në sy mungesa e Pandeli Majkos, i cili nuk ia doli ta thyente herësin.