Vijnë në Rinas 188 mijë vaksina AstraZeneca, Manastirliu: Janë të sigurta

astrazeneca 1 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në prezantimin para Kuvendit të Aktit Normativ që i hap rrugën mbërritjes së 500 mijë dozave Pfizer, brenda 3 muajsh, ka informuar deputetët në lidhje me sasitë e vaksinave që do të mbërrijnë në Shqipëri, në kuadër të planit të vaksinimit masiv.

“Akti normativ që miratojmë sot, i hap rrugë sigurimit në një kohë shumë të shpejtë, brenda 3 muajsh, të 500 mijë vaksinave Pfizer, seria e parë e të cilave vjen brenda tetorit. Është hapi i radhës, në një seri tashmë të panumërt hapash, në rrugëtimin tonë të nisur prej muajit dhjetor, për të sjellë në Shqipëri vaksina të sigurta dhe të certifikuara”, deklaroi Manastirliu.

Më tej, Ministrja e Shëndetësisë shtoi se kanë mbërritur dhe kanë nisur të shpërndahen 188 mijë doza të vaksinës AstraZeneca falë mbështetjes së Italisë si pjesë e instrumentit Covax. 

“Kanë mbërritur dhe po shpërndahen sot edhe 188 mijë doza vaksine AstraZeneca, falë mbështetjes së Italisë mike, si pjesë e instrumentit COVAX, duke mbërritur në mbi 2 milionë e 262 mijë doza të ardhura në vend. Brenda këtij viti, do të arrijmë në mbi 3 milionë doza të mbërritura, dhe mbi 5 milionë doza deri në vitin 2022, me kontrata e marrëveshje tashmë të siguruara”, bëri me dije Manastirliu.