Berisha paralajmëron rikthimin në krye të PD-së: I hapur për çdo funksion kushtetues

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike, ndërsa kërkoi votën e demokratëve. Në foltoren me demokratët e qarkut të Elbasanit, ai tha se është gati të marrë drejtimin e partisë, nëse votohet dhe se është i hapur për çdo funksion kushtetues të këtij vendi. Gjatë fjalës së tij Berisha foli me gjuhën e kandidatit për kryetar të opozitës.

“U them gazetarëve që tani e tutje jam i hapur për çdo funksion kushtetues të këtij vendi. Cilindo kryetar që dëshironi ju unë do ta pranoj, unë jam i hapur. Historia ka treguar që rikthimet janë të dobishme. Ai duhet të largohet e të reflektojë thellë për deklaratat e tij se nuk ka kuvend e nuk lejon referendum dhe t’i tërheqë menjëherë këto deklarata. Ne do të rikthejmë votën dhe vullnetin tuaj dhe me votën tuaj të lirë do të përcaktoni deputetët dhe renditjen e tyre do të përcaktoni drejtuesit e degës dhe këshilltarët e qeveritarët vendorë. Kryetari në statut ka vendosur që këshilltarët duhet t’i miratojë kryetari i partisë këto janë absurditete që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk është kusht që kryetari i partisë të jetë dhe kryeministër, le të vendosë anëtarësia, ajo mban përgjegjësinë për të mbështetur këtë lokomotivë në zhvillimin e vendit. Kryetari nuk mund të marrë vendime duke shkelmuar statutin”.

Ish-kreu i PD-së i kërkoi falje demokratëve që ka mbështetur publikisht Lulzim Bashën, pavarësisht se siç shprehet ai i ka thënë gjithçka dhe këtë e ka të dokumentuar. Berisha tha se nëse këtë aksion politik që po ndërmerr tani, do ta zhvillonte në vitin 2017, Partia Demokratike tashmë do të ishte në pushtet. Duke e akuzuar Bashën si të pabesë, ai tha se edhe në librat e shenjtë thuhet që njerëz si ai nuk duhet të kishin lindur.

“Kërkoj ndjesë para jush se në këto 8 vite si njeri i betuar që nuk kthehem më kam mbështetur publikisht një njeri që nuk po e marr në rrafshin njerëzor, se në librat e shenjtë thuhet si ai nuk duhet të lindin, i pabesi është fjala, por nuk e marr në këtë e marr në një qëndrim ndaj vlerave që ne sollëm në Shqipëri, votën e lirë dhe liritë e të drejtat njerëzore dhe interesin kombëtar. Por nuk ishte pak kjo. Partia për fat të keq filloi të bjerë në këto dy shtylla kryesore, e kam mbështetur,  duke i thënë gjithçka dhe i kam të dokumentuara ato. Çdo gjë e kam të dokumentuar, por publikisht e kam mëbhstetur që të ecim drejt fitores kur ai kishte agjendë të lartësohej vetë. Por nuk lartësohesh kur kryen akte si në 2017 kur del në pusi dhe vret bashkëluftëtarët e tu. Gabimi im ka qenë që duhet të kisha ndërmarrë këtë projekt si tani dhe sot do ishim në pushtet dhe Shqipëria do të kishte hapur negociatat sot. Do të bëjmë gjithçka për rikthimin e vlerave”.

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi edhe protesta masive deri në rrëzimin qeverisë.

”Duhet të përgatitet më protestat më të fuqishme në vend, dhe ta dish se nga rruga nuk shqitemi pa të hedh aty ku e meriton, mos luaj me çmimet, mos luaj me kafshatën, ne duhet të ngrihemi në këmbë si opozitë që t’i tregojmë vendin siç e treguam në 90, demokratët të përgatiten për një betejë  gjer në fitoren tonë të plotë, fitore të merituar”.