“Burra që vrasin gratë”, kur shtëpia nuk është më një vend i sigurt

Historia e Inës është vetëm njëra prej mijëra historive të ngjashme, ku gratë shqiptare janë dhunuar nga burrat. Teksa flet e përlotur, ajo e konsideron veten me fat sepse arriti t’i mbijetojë dhunës dhe bashkëshorti i saj nuk shkoi deri në aktin final të vrasjes. Por kjo nuk ishte e thënë për Sabrina Bengën, Klarita Ismalajan, Irvana Hykën, Liljana Buzon dhe Diana Vukajn. Ato janë vetëm disa prej vajzave dhe grave, që mbeten viktima të burrave, gjatë vitit 2021. Kjo listë e gjatë na tregon se dhuna ndaj grave dhe femicidi nuk janë raste të izoluara, por një fenomen dramatik i shoqërisë si dhe një sfidë për shtetin shqiptar.

Presioni i shoqërisë, mentaliteti maskilist, vështirësitë ekonomike dhe problemet sociale, konsiderohen disa nga faktorët kryesorë që nxisin vrasjen e grave, që në shumë raste konsiderohen si pronë ekskluzive e burrave dhe si për ironi të fatit shpesh ndihen më të pasigurta se kudo, brenda vetë shtëpive të tyre.

Ndonëse Shqipëria ka ndryshuar kuadrin ligjor për ndëshkim më të ashpër të krimeve në familje, sërish këto raste vijojnë të rriten në numra.

Referuar të dhënave zyrtare, gjatë muajit janar-gusht të këtij viti, janë shënuar 1091 raste të dhunës në familje ose 8.6% më shumë se e njëjta periudhë e marrë në shqyrtim një vit më parë. Ndërkohë që statistikat tregojnë për një rritje të shifrave, ekspertët dhe shoqatat thonë se të dhënat rrallë pasqyrojnë shkallën e vërtetë të problemit, pasi viktimat shpesh nuk e denoncojnë dhunën.

Shumica të papuna, nëna me fëmijë dhe në mungesë të një prone, gratë e ekspozuara ndaj dhunës në familje duhet të mendohen shumë herë përpara se të raportojnë partnerët e tyre pasi shpesh janë të detyruara të bashkëjetojnë me ta.

Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, vrasjet kanë qenë kronika të paralajmëruara. Viktimat ishin drejtuar në dyert e policisë, ku kishin kërkuar ndihmë dhe më pas gjykata iu kishte siguruar një urdhër-mbrojtje, por kjo nuk i ka shpëtuar nga vdekja.

Disa prej ngjarjeve kanë qenë tejet tronditëse. I tillë ishte ai i Sabrina Bengës, 23-vjeçares, e cila ishte martuar që në moshën 13-vjecare dhe u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Por janë qindra, rastet e ngjashme.

Përpos tragjedisë që vdekja mbart në vetvete, krimi në familje pasohet edhe me plagë të thella sociale, pasi fëmijët mbeten pa nënën e tyre dhe me babain në burg apo të vetëvrarë. Fëmijët, të cilëve babai u ka vrarë nënën dhe vetë është nën gjykim, nuk e përfitojnë statusin e jetimit. Ligji parasheh një pension, por kjo varet nga vitet e punës së siguruara të nënës. Çfarë ndodh me këta fëmijë? Kush kujdeset për ta?

Edhe pse kemi një kabinet qeveritar me 17 anëtarë, ku 12 janë gra, duket se në shoqërinë shqiptare barazia gjinore dhe largimi nga patriarkati janë ende larg. Shifrat alarmante sugjerojnë se shteti dhe shoqëria kanë dështuar të mbrojnë vajzat dhe gratë .

Vrasjet kanë ndodhur në qytete të ndryshme, viktimat janë të brezave të ndryshëm, por në pjesën më të madhe të rasteve, vrasësi i grave ishte një burrë që kishte lidhje të afërta me to, bashkëshorti, ish-partneri, babai apo vëllai i tyre