Polonia sfidon BE, Gjykata Kushtetuese: Ligji polak mbi ligjin europian

Polonia vazhdon në kursin e konfrontimit me BE-në. Gjykata e Lartë në këtë vend refuzoi parimin që ligji europian të ketë përparësi ndaj legjislacionit kombëtar në çështje të caktuara juridike, në atë që konsiderohet si sfidë e madhe ndaj kornizës ligjore të bllokut.  

Gjykata Kushtetuese tha se disa pika të traktatit të BE-së nuk ishin në përputhje me Kushtetutën polake.

“Situata aktuale çon drejt faktit se organizmat e Bashkimit Europian, operojnë jashtë limiteve të kompetencave të dhëna nga Republika e Polonisë në traktatet e BE-së. Polonia nuk mund të funksionojë si shtet sovran dhe demokratik”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Julia Przylebska.

Vendimi zemëron Brukselin. Përmes një deklarate, Komisioni Europian tha se ligji i BE-së ka përparësi ndaj ligjit ndërkombëtar, përfshirë dispozitat kushtetuese. 

Komisioni paralajmëroi se nuk do të hezitonte të përdorte të gjithë autoritetin e dhënë nga traktatet e ndryshme për të mbrojtur aplikimin e njëjtë dhe integritetin e ligjit të bllokut.

Nismëtar i sfidës ligjore ishte kryeministri polak Mateusz Morawiecki. Kjo është hera e parë në historinë e Bashkimit Europian që një shtet anëtar vë në dyshim traktat e BE-së në një Gjykatë Kushtetuese.