Reforma zgjedhore, Celibashi: Pro depolitizimit të komisionerëve, zgjidhja me formulë miks

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon analizimin e procesit zgjedhor të 25 prillit. Ilirjan Celibashi, në një intervistë për A2 CNN, kërkon nga politika që të nisë sa më parë reformën zgjedhore për plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

“Sa më shpejt të fillojmë me përmbushjen dhe realizimin e atyre ndryshimeve që duhet të bëhen sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Në vlerësimin e KQZ-së koha për përmbushjen e tyre ka filluar”, u shpreh Celibashi.

Rekomandimi që ka përçarë politikën ka qenë depolitizimi i administratës zgjedhore. “Edhe kur kam qenë jashtë kësaj zyre, edhe më shumë akoma, vazhdoj t’i qëndroj pikëpamjes që ka nevojë që administrata në mënyrën se si është organizuar, përbëhet dhe funksionon duhet të ndryshojë”, tha kreu i KQZ.

Për këtë, ai ka edhe një propozim të tijin që plotëson edhe pretendimet e partive garuese ashtu edhe të vetë KQZ-së.

“Personalisht jam i mendimit që administrate e nivelit të dytë dhe të tretë të jetë e gjitha e shërbimit civil, por mund të gjendet një model miks, i cili nga njëra anë të garantojë interesin e partive politike për të qenë pjesë e administrimit të procesit zgjedhor. Por nga ana tjetër, kjo e drejtë dhe ky interes të mos jetë si sot pasi nuk kontribuon në menaxhimin e procesit zgjedhor”.

Sfida vijon të mbetet edhe çështja e financimit të partive politike, sidomos gjatë fushatës elektorale. “Ka nevojë për akoma përmirësime në këtë aspekt që do të na çojë në një transaprencë më të madhe dhe një fotografim më real se çfarë ndodh me paratë në politikë, veçanërisht në fushatën zgjedhore”.

Detyra e paplotësuar nga zgjedhjet parlamentare ishte vota e diasporës. “Po punojmë për të mundësuar votën e diasporës. Koha e mjaftueshme jo vetëm për KQZ, por edhe për subjektet zgjedhore”. Risia e parlamentareve të 25 prillit ishte teknologjia. Kryetari i KQZ-së vlerëson projektin duke kërkuar votimin dhe numërimin elektronik në të gjithë Shqipërinë, por është koshient se teknologjia nuk i zgjidh të gjitha problemet e zgjedhjeve.