Rruga drejt Katar 2022, Brazili përmbys Venezuelën, Paraguai frenon Argjentinën

BRAZILI FITON ARGJENTINA BARAZON frame 720 1100x620

Brazili vijon ecurinë perfekte në kualifikueset e Botërorit 2022 në Katar. Seleçao triumfoi 3-1 me përmbysje me Venezuelën.

Vendasve nuk u mjaftoi avantazhi me Ramirez, pasi Marquinhos, Gabigol dhe Antony e kthyen ndeshjen në favor të skuadrës së Tite. Gjithçka ndodhi në 20 minutat e fundit të ndeshjes, me Brazilin që përveç kualitetit tregoi grintë dhe shumë zemër.

Ajo në Karakas ishte fitorja e nëntë, në po kaq ndeshje, në kualifikueset e Amerikës së Jugut. Brazili ngjitet në kuotën e 27 pikëve dhe e rrit me 8 pikë distancën nga Argjentina e vendit të dytë.

Edhe me Lionel Messi në fushë, “Albiceleste” zhgënjyen, pasi u frenuan në shifrat 0-0 nga Paraguai. Ky ishte barazimi i katërt në nëntë ndeshje.

Në ndeshjet e tjera, nuk bindi as Uruguai që barazoi pa gola me Kolumbinë, Peruja mposhti 2-0 Kilin, teksa Ekuadori fitoi 3-0 me Bolivinë.