“Tatimi i karburantit krijon problem zinxhir në ekonomi”, eksperti: Qeveria të ulë taksat

Për ekspertin Dael Dervishi, rritja e çmimit të karburantit në vendin tonë vjen si pasojë e taksave të larta, disa prej të cilave ekzistojnë prej një dekade.

“Nafta që përdoret në vendin tonë është naftë eksporti, plani këtë vit është rreth 800 mijë litra naftë për 2021, por është e rëndë dhe pak mbetet për t’u përdorur si D2, shumica eksportohet dhe përdoret për arsye të tjera. Ajo që e rrit çmimin në vendin tonë janë taksat e larta. Si taksa e qarkullimit. Shumë taksa në vendin tonë i ka nafta dhe benzina. Disa prej taksave ekzistojnë prej një dekade si taksa e qarkullimit. Disa janë shtuar nga qeveria Rama si taksa e karbonit që është taksë mjedisore. Këto janë politika të qeverive që promovohen ose dënohen me votë, por e ngarkojnë çmimin e karburanteve”.

Sipas tij tatimi i karburantit krijon problem zinxhir në ekonominë shqiptare. Dervishi sugjeron uljen a taksave për të amortizuar çmimin , por shprehet skeptik për gatishmërinë e qeverisë.

“Nevoja për të formalizuar ekonominë në Shqipëri ekziston, për të formalizuar mbledhjen e taksave. Por të tatosh karburantin krijon probleme  zinxhir në ekonomi. Shqipëria prodhon sasi të konsiderueshme nafte, por nuk kontribuojnë në ekonominë shqiptare. Qeveritë shqiptare kanë qenë të pasuksesshme në mbledhjen e taksave, të cilat janë të konsiderueshme nga kompanitë që prodhojnë naftë në vendin tonë, problemet i kemi diskutuar që të arrijë të mbledhë taksa nga kompani që prodhojnë naftë dhe t’i bëjë kontribuues direkt në ekonominë shqiptare. Ulja e taksave është një mënyrë për të amortizuar dhe ulur çmimin e karburanteve, por nuk e  di sa e gatshme do ishte qeveria shqiptare”.