“Derë më derë për vaksinimin”, Manastirliu kërkon bashkëpunim për uljen e rrezikut të infeksionit

ogerta 14 1100x620

Trokitje derë më derë për të vaksinuar qytetarët e pavaksinuar dhe për të minimizuar rrezikun para dimrit. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga fshati Portëz i Fierit, ku ka nisur aksioni i vaksinimit. Ajo kërkoi bashkëpunimin e të gjithë strukturave vendore për intenfisikimin më tej të vaksinimit anticovid.

“Plani ynë i cili tashmë kalon në këtë fazë të re, ku bashkë me të gjithë personelin shëndetësor, përfshihen edhe të gjithë drejtuesit lokalë, përfshihen administratorë të njësive administrative, përfshihen kryepleqtë, përfshihen ata që kanë kontakte direkte me komunitetin, i jep një vlerë të shtuar të gjithë këtij procesi. Vaksinimi është një detyrë dhe përgjegjësi e të gjithëve, ashtu sikurse është një detyrë e të gjithë komunitetit që të kontribuojë dhe kujdeset për të gjithë ata të cilët ende nuk janë vaksinuar. Ne jemi në të gjithë vendin me personel të dedikuar për njësitë e terrenit, të cilët janë duke vaksinuar derë më derë nëpërmjet njësive të lëvizshme”.

“Ky proces për të vaksinuar, për kujdesin shëndetësor që na duhet, sepse dimri është te porta. Qoftë COVID-19, qoftë gripi stinor do të ketë një impakt. Ne duhet të reduktojmë rrezikun dhe e minimizojmë atë nëpërmjet vaksinës dhe kjo është e rëndësishme për t’u transmetuar tek të gjithë”, u shpreh Manastirliu.

Deri tani në vendin tonë janë kryer 1,789,592 vaksinime, 828,940 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës ndaj COVID19.

Gjithashtu prej ditës së hënë nis java e vaksinimit të studentëve (11-17 tetor) dhe vaksinimi do të kryhet në fakultetin ku studion, strukturat  shëndetësore me dekanatet dhe rektoratet kanë përpiluar dhe miratuar kalendarin e vaksinimit antiCOVID. Kanë mbërritur në vendin tonë deri tani 2,262,960 vaksina antiCOVID.