Duma reagon mbi planin për krizën energjetike: Rama nuk tha asgjë, faturën do ta paguajnë qytetarët e thjeshtë

grid aduma 1100x620

Pas liderit Lulzim Basha, edhe një tjetër eksponente e njohur e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka dhënë reagimin e saj ndaj planit të qeverisë për t’u përballur me krizën energjetike.

Sipas Dumës, “Partia Demokratike ka provuar dhe qartësuar që nuk është çështje e krizës energjetike, por se pari e mbi te gjitha krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi. Sot Rama e faktoi këtë. Asnjë fjalë për energjinë. Madje u shiti si lajm të jashtëzakonshëm që nuk do të ketë ndërprerje të energjisë”.

Sipas saj, janë sipërmarrësit që do të luftojnë “për të mbajtur hapur dyert e dyqaneve apo fabrikave, që mbajnë gjallë motorin e ekonomisë, janë ata që do të duhet të paguajnë faturën e keqmenaxhimit dhe korrupsionit”, ndërkohë që premtimi i Ramës për mbrojtjen e familjeve është i kotë sepse sipas saj “qytetaret e thjeshtë do ta paguajnë energjinë te rritja e faturës së ushqimeve, shërbimeve, sepse ligjësia e ekonomisë e çon zinxhir faturën finale te konsumatori, pra te familjarët. Askush nuk do të shpëtojë”.

Duma deklaroi edhe se Partia Demokratike po bën gati kallëzimet për ato që ajo cilëson si  “abuzimet monstruoze dhjetëra milionëshe të qeverisë së Ramës, me OSHEE dhe KESH, në kurriz të familjeve shqiptare”, duke i bërë apel SPAK për të nisur hetimet.