Tenderi i RTSH: Detaje nga hetimi, si abuzoi ish-drejtori Gëllçi

Abuzimi me një tender të vitit 2018 në Radio Televizionin Shqiptar është strumbullari i arrestimit nga SPAK të ish-titullarit të institucionit, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj. Të arrestuarit dyshohen se kanë shkelur ligjin, kur në garën me dy kompanive kanë skualifikuar njërën dhe shpallur fituese tjetrën, në një kohë që sipas dokumentacionit, asnjëra prej tyre nuk duhet të kualifikohej. Sipas të dhënave nga SPAK, ish-drejtori Thoma Gëllçi dyshohet se ka nisur procedurën e tenderit për blerjen e pajisjeve për kanalin e ri “RTSH AGRO” në një kohë që as bordi dhe as AMA nuk e kishin miratuar këtë kanal. Tenderi me fond limit gati 87 milionë lekë për blerjen e kamerave dhe pajisjeve teknike është zhvilluar në tetor-nëntor 2018. Pajisjet janë blerë dhe përdorur nga kanalet e tjera, ndërsa sinjali i kanalit “Agro” është shfaqur në paketën e RTSH 3 vjet me vonë, në prill 2021.

Nga hetimi rezulton se në garë për tenderin me fond limit gati 87 milionë lekë të rinj ishte kompania “Eurokontakt” dhe “TBS 96”. Ndonëse Eurokontakt ka pasur ofertë me 20 milionë lekë më pak, fituese është shpallur kompania tjetër, e cila po ashtu nuk i përmbushte kriteret.

Po sipas hetimit të SPAK, Gëllçi dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën edhe në një moment të dytë, kur ka firmosur një kontratë shtesë për zgjatje afati të dorëzimit të mallrave të blera përmes tenderit.

Burime pranë SPAK konfirmuan se në hetimin e abuzimit me këtë tender në RTSH nuk janë përdorur metoda speciale të hetimit, si përgjime, apo vëzhgime, por vetëm hetim bazuar në dokumentacionin dhe aktet e përpiluara prej të arrestuarve.