Me një gjilpërë dhe fije, koreografi që nevoja për kostume e bëri artizan

Nevoja për të qepur kostumet me të cilat duhej të kërcente në skenë, e bëri kërcimtarin dhe koreografin nga Elbasani një qëndistar dhe artizan të veshjeve popullore. Ruzhdi Veshi prej vitesh qep me dorë kostume, kapele, çanta dhe punime artistike, të cilat i dizenjon dhe i formon vetë.

Këto punime artizanale mjaft të veçanta nuk janë punë të ndonjë dore femërore të përkushtuar pas qëndisjes. Por të një burri, i cili profesionin e tij si kërcimtar dhe më pas koreograf e shfrytëzoi për të arritur këtu ku është sot.

Ruzhdi Veshi nga Elbasani është nga artizanët e paktë që këto kostume popullore të qëndisura, këto kapele, çanta dhe punime artistike i realizon me dorë me një gjilpëre dhe fije.

Për mikrofonin e A2 CNN, ai tregon nevojën që e detyroi të mësonte qëndisjen dhe qepjen e kostumeve.

Si çdo punim me dorë edhe kjo e veshjeve popullore dhe qëndisjes së tyre ka vështirësitë e veta, që nga krijimi, dizenjimi e deri tek dhënia e formës së duhur.

Por pavarësisht veçantisë së këtyre punimeve artizanale, interesi publik për to nuk është në nivelin e mundit dhe lodhjes së artizanit.

Ruzhdiu e kupton që ai është ndër të paktët artizanë në qytetin me tradita të Elbasanit dhe për këtë apelon strukturat lokale që t’i mbështesin dhe t’i përkrahin ato pak artizanë që kanë mbetur në mënyrë që tradita të mos shuhet.

I bindur që Apeli nuk do të bjerë në veshin e duhur, ashtu sikurse nuk ka rënë deri më tani, Ruzhdiu vijon të qëndisë dhe të përpiqet të mbaje gjallë artizanatin sa të mundet.