Nga Bangladeshi në Tiranë, mundësi për studime dhe shkëmbim eksperiencash

Aziz Nur Shah dhe Ar Rahman Atique janë dy qytetarë nga Bangladeshi. Ata punojnë si konsulentë të lirë në fushën e arsimit dhe prej rreth një jave gjenden në Shqipëri. Teksa i drejtohen zyrës së informacionit në Ministrinë e Arsimit në kryeqytet, ata tregojnë edhe planet që kanë:

“Unë jam nga Bangladeshi. Punoj si konsulent për studentët. Duke qenë se shumë të rinj nga Bangladeshi studiojnë në Europë, kam ardhur këtu për marrë informacion nga Ministria e Arsimit se  si funksionojnë procedurat për t’u regjistruar këtu. Është një mundësi e mirë për bashkëkombësit e mi studentë”, thotë Nur Shah.

“Nëse na rezulton që këtu ka një mundësi të mirë për studentët tanë nga Bangladeshi, mund të ndërmjetësojmë që ata të vijnë e të mësojnë këtu. Kjo do ishte një mundësi e mirë edhe për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Bangladeshit”, thotë për A2 CNN, Ar Rahman Atique.

Teksa tregon se deklarata e kryeministrit Rama për marrjen e punëtorëve nga Bangladeshi nxiti deri diku ardhjen e tij këtu, Azizi thotë se kjo do ishte një mundësi e mirë për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy vendeve. “Ai ka hapur një mundësi shumë të mirë për qytetarët nga Bangladeshi, pasi ne jemi një vend i varfër. Edhe Shqipëria do përfitonte nga eksperienca jonë në mjekësi apo manifakturë”.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave 1678 qytetarë nga Bangladeshi hynë në vend në 8 muajt e parë të këtij viti. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë krahasuar me vitin 2020 ku në Shqipëri hynë vetëm 29 qytetarë nga Bangladeshi apo edhe se 2019, vit në të cilin erdhën 134.