Italia, e treta në Ligën e Kombeve, mposht Belgjikën

Italia e ka mbyllur e treta edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, pasi fitoi 2-1 ndaj Belgjikës. Në takimin e zhvilluar në “Juventus Stadium”, skuadra e Mancinit gjeti forca pas humbjes nga Spanja dhe arriti të dominojë Belgjikën me shumë mungesa. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura, me një lojë thuajse të barabartë.

Ndërkohë, 45 minutat e dyta nisën menjëherë me gol për italianët, të cilin e realizoi mesfushori i Interit, Nicolo Berella. Të kaltrit vijuan të zhvillojnë minuta të mira duke kërkuar të gjejnë golin e sigurisë, të cilin e realizuan në minutën e 65-të, kur Berardi ktheu në gol një 11-metërsh. Në vijim, Belgjika u zgjua, me futjen në lojë edhe të De Bruyne, por arriti të shënojë vetëm një gol me anë të të riut De Ketelaere.

Në mbrëmje do të vendoset edhe kampioni i edicionit të dytë të Ligës së Kombeve ku Franca dhe Spanja do të përballen mes tyre. Në edicionin e parë triumfoi Portugalia.