Basha: Antikushtetues, refuzimi i komisionit hetimor për çështjen Becchetti. Do të nxisim dhe mbështesim çdo formë të reagimit qytetar

Kryetari i Partisë Demokratike e quajti antikushtetues vendimin për të mos miratuar ngritjen e komisionit hetimor për çështjen Bechetti, të kërkuar nga opozita.

“Kushtetuta është e qartë sa i përket komisioneve hetimore. Të fshehësh dosjen Becchetti është në interes të Ramës dhe Veliajt, jo të Shqipërisë. Ata janë drejtpërdrejtë të implikuar në një rast ku shqiptarëve kanë filluar t’u merren 120 milionë euro për shkak të luftës personale që i hapën Becchettit. Prandaj ta harrojnë se do të pranojmë në heshtje shkeljen e Kushtetutës. Komisioni është e vetmja mënyrë për të nxjerrë para drejtësisë dhe të bëjë që dëmi të mos bjerë mbi xhepat e shiqptarëve, por të bjerë mbi sarajet, pasuritë dhe llogaritë offshore të politikanëve”, tha Basha.

Ai u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të reagojnë edhe për krizën energjetike të paralajmëruar nga socialistët. “Presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen në tapetet e kuq të vanitetit gjatë fundjavës në Tiranë, ne nuk mund të rrimë duarkryq”, shtoi Basha.

“Ndaj për ne kjo javë do të vazhdojë siç ka nisur, me një ofensivë që ka si objektiv interesin e nevojave bazike të qytetarëve. Nëpër dyqane blihet me listë si asnjëherë më parë. Nuk dua të them se lindi sot, por sot është më i rëndë se kurrë. Do të shikoni një familjar që blen gjysmë buke, dy karrota, dy qepë.  Çmimet kanë kapërcyer në gjithçka, jo vetëm në energji.

Kriza nuk zgjidhet me pseudopaketa që përpiqen të fshehin vjedhjen. Shteti i ka të gjitha mundësitë që t’i japë fund shkakut themelor të kësaj krize, instalimi i një regjimi të përbërë nga kryeministri, një grusht ministrash dhe eksponentë të krimit të organizuar. Thonë që ulja e TVSH-së nuk ul çmimin, por TVSH-në e jahteve e kanë hequr. Oligarkëve u bëka punë, fukarenjve jo. Këtë e thotë dikush që ka humbur lidhjet me realitetin. Do të nxisim dhe mbështesim çdo formë të reagimit qytetar.

Jeni para shumë testesh, por ky është një nga testet kryesore. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë që është krizë korrupsioni. Ne do të sjellim kallëzimin brenda kësaj jave, për t’u hequr çdo alibi. Ata nuk janë aty për asgjë tjetër veç se për të bërë detyrën. Ta kuptojnë që janë rrethuar nga komoditeti i zyrës, se ajo zyrë është krijuar për të ndëshkuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë”.