Debat në Kuvend, PDK i kërkon qeverisë të rishikojë vendimin për gazsjellësin

“I bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim sa i përket bashkëpunimit me SHBA-të në çështjet e gazit, mendojmë që Kosova nuk e ka luksin që të refuzojë një projekt të tillë”, deklaroi kreu i grupit të PDK, Abelard Tahiri.

Partia Demokratike e Kosovës kritikon qeverinë dhe vendimin për refuzimin e projektit të gazsjellësit e konsideron të dëmshëm për vendin. Veçanërisht kur kjo vjen në një periudhë krize energjetike.

“Vendi ynë po hyn në një situatë apo krizë energjike siç po hyn i gjithë rajoni dhe një pjesë e madhe e Europës, prandaj gjithmonë alternativat janë të rëndësishme, aq më shumë për neve që tashmë po flasim për një projekt i cili financohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një grant që kap vlerën diku 200 milionë dollarë dhe refuzimi i qeverisë së Republikës së Kosovës mendoj që i bënë një dëm jashtëzakonisht të madh vendit në perspektiven tonë afatgjatë dhe në raport me partnerin tonë më të rëndësishëm në shtet ndërtim siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, debati parlamentar lidhur me gazsjellësin kërkon tashmë edhe PDK.

“Në mbledhjen e radhës së Kryesisë që besoj do të mbahet javën tjetër, do të vendoset që të vihet për debat parlamentar çështja e gazit në seancën e ardhshme të Kuvendit”.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka pohuar më herët se vendimet që merren për energjinë duhet të jenë të mirë informuara. Projekti i gazsjellësit, që kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe do ta lidhte Kosovën me tregun e gazit në Greqi është pezulluar nga qeveria për shkak të kostove të mëdha.