Ekipi anti-Poloni, projektohet formacioni, Broja titullar dhe Bajrami në “regji”

KOMBETARJA FORMACIONI ANTI POLONI frame 721 1100x620

Ndaj Polonisë me tre ndryshime në formacionin titullar. Nga një në secilin repart. Duke nisur nga mbrojtja, ku pas lëndimit fatkeq të Berat Gjimshitit, treshja përpara portierit Berisha do të plotësohet nga Veseli.

28-vjeçari bindi në aktivizimin në Hungari dhe do të rreshtohet përkrah Kumbullës dhe Ismajlit. Në mesfushën me 5, Çekiçi është i pezulluar me kartonë dhe në formacionin titullar do të kthehet Nedim Bajrami.

Fantazisti do të diktojë manovrat ofensive të Shqipërisë, teksa do të mbështetet nga Bare e Gjasula në qendër, si edhe Trashi e Hysaj nga krahët. Në sulm pritet të vijë ndryshimi i madh, me Armando Brojën që projektohet titullar.

Një zgjedhje e pashmangshme kjo e trajnerit Edy Reja, pas formës së shkëlqyer dhe golave të shënuar nga sulmuesi i cili luan në Premier Ligën angleze. 20-vjeçari është në avantazh përballë Myrto Uzunit dhe pritet të aktivizohet përkrah Sokol Cikalleshit.

Alternativa të rëndësishme gjatë lojës do të jenë edhe Rey Manaj, por edhe dy lojtarë shumë të shpejtë nga krahët si Roshi e Lenjani, që me cilësitë e tyre mund ta zgjidhin ndeshjen në favor të kuqezinjve.