“Gazetari në kohë krizash”, Rama: Liria e përhapjes së mediave online ka minuar lirinë e fjalës, nuk dallohet e vërteta nga e gënjeshtra

11 TETOR RAMA KONFERENCE frame 18091 1100x620

I pranishëm në konferencën e OSBE-së për Europën Juglindore, “Gazetari në kohë krizash”, Kryeministri Edi Rama tha se në emër të lirisë së medias, shumë gjëra ndodhin që shkojnë kundër konceptit të lirisë. “Po i referohem përhapjes së lajmeve të rreme, të sjelljeve që priren të jenë kundër lirisë së njerëzve të tjerë dhe kundër të drejtave të njerëzve të tjerë dhe kundër gazetarisë që bazohet te faktet dhe ndjenja e misionit për të përfaqësuar një fuqi të katërt reale”, tha Rama.

“Liria e përhapjes së mediave online ka minuar lirinë e fjalës. Është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet kur vjen puna te rregullimi i kësaj hapësire, ku të vërtetat dhe gënjeshtrat vështirë të dallohen nga njëra-tjetra. Në emër të lirisë na duhet thjesht të bëjmë durim me këtë sasi gënjeshtrash, akuzash, shpifjesh apo shantazhesh, që janë shndërruar në problem shumë të madh. Çfarë do të kishte bërë makineria propagandistike naziste me këtë liri, është tronditëse. Përpiquni të vlerësoni se çfarë dëmi po ndodh, po shkaktohet në jetën e përditshme nga burimet e së keqes në këtë botë”.

Kryeministri tha se duhet të ketë masa për të rregulluar veprimtarinë e mediave online, sikurse ka për format më tradicionale të mediave. “Nuk e kuptoj pse televizionet dhe gazetat janë të rregulluara dhe media online nuk duhet të rregullohet. Nuk jam i sigurt që vetërregullimi është përgjigjja, përkundrejt shpejtësisë. Sepse shpejtësia është përtej kufijve të imagjinatës së qenieve njerëzore. Kur vjen fjala për vëllimin që duhet përpunuar, për të qenë i pari që transmeton lajmin. Po ndalem këtu sepse kam thënë mjaftueshëm për t’u sulmuar sërish…”.