Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Haxhi apelon për transparencë dhe analizë të situatës energjetike: "PD të kërkojë falje për katastrofën e humbjeve në 2013"

Nga A2 CNN
11 Tetor 2021, 10:18 | Ekonomi
Haxhi apelon për transparencë dhe analizë të situatës

Ish-zv.ministri i Financave, Elton Haxhi, nuk përjashton edhe keqmenaxhimin si një ndër shkaqet e krizës energjetike. Në studion e "Ditarit" në A2 CNN, ai thekson se duhet bërë një analizë që pse erdhëm në këtë situatë dhe cila është kostoja e energjisë që prodhojmë para se të shkohet te rritja e çmimit.

“Mund të jenë të dyja, edhe kriza, edhe keqmenaxhimi. Kemi dëgjuar shkaqet, nuk kemi dëgjuar pse jemi në këtë situatë. Nga të dhënat e ERE, rezulton që, deri në gusht, kemi qenë në nivelin mesatar, e kemi filluar në nivelin maksimal dhe në gusht kemi rënë në nivel mesatar. Duhet analizuar pse erdhëm në këtë situatë, se nuk ka qenë vit i keq nga pikëpamja hidrike. Duhet bërë analizë. Para se të shkojmë në rritje çmimi, duhet të analizojmë cila është kostoja e energjisë që prodhojmë. Arsyeja? Nuk jemi eficentë apo është thjesht rritje e përkohshme çmimi, nëse është e fundit do të mjaftonte vetëm sigurimi i garancisë sovrane për koorporatën. Periudha ku eksportojmë është sepse nuk kemi ku ta çojmë dhe jemi të detyruar të ulim nivelin e hidrocentraleve, sepse konsumi i brendshëm nuk e përthith. Duke bërë një analizë mund të dalim në disa konkluzione dhe kjo pjesë e transparencës ka munguar. Kemi dëgjuar se kemi mbrojtur shtresat në nevojë, se kemi ulur çmimin për një kategori, por nuk kemi dëgjuar sa na kushton kjo energji. A jemi rentabël?"

Për Haxhin, niveli i humbjeve në rrjet është ulur ndjeshëm në krahasim me vitin 2013, që ishte 30-35%, përkundër 20-25% që është sot. Dhe për këtë, ai thotë që Partia Demokratike duhet të kërkojë falje për katastrofën e keqmenaxhimit të asaj kohe.

“Niveli i humbjeve është ulur goxha në 2013, ka qenë 30-35% tani jemi 20-25% dhe ky nivel humbjesh është 160 mln euro. Nga momenti që energjia hidhet në rrjet, ne kemi humbur në vit dhe nëse nuk dalim rentabël mund të jetë shkak edhe ky nivel humbjesh 160 mln euro në vit që ne kemi humbur 160 mln euro në vit, pa shkuar te konsumatori. Vetëm PD-ja nuk ka të drejtë të flasë, se ka pasur 35% nivelin e humbjeve, ose të kërkojë falje sepse bëri katastrofë atëherë dhe kishte keqmenaxhim të situatës.”

Sipas tij, analiza dhe transparenca do të shërbejë për të kuptuar nëse çmimi e justifikon eficencën e kompanive, sepse një kompani nuk duhet të shesë me humbje.

“Duhet bërë analiza dhe transparenca nëse ka përgjegjësi kompania në menaxhimin e burimeve hidrike dhe nëse gjithë sistemi është ndërtuar që çmimi nuk e justifikon eficencën e kompanive dhe duhet thënë që ne duhet ta rrisim për shkaqe të brendshme, sepse nuk është mëkat, pasi nuk ekziston një kompani, nuk duhet të shesë me humbje dhe nëse duhet rritur, le ta rrisin”.

Haxhi nuk përjashton rritjen e çmimit të energjisë dhe thekson se skema për mbrojtjen e konsumatorëve dhe energjisë nuk është e qartë, ndërsa problemin e shikon te ndërmarrjet buxhetore dhe biznesi i madh që, sipas tij, do të rëndohet.

"Kuptohet që do të ketë rritje çmimesh, do të ketë mbrojtje për dy kategori, biznesin e vogël dhe familjarët skema e mbrojtjes së tyre nuk është e qartë. Nëse te familjari dhe biznesi niveli i detyrimeve është stabël, në ndërmarrjet buxhetore si ujësjellësi, kemi rritje të ndjeshme të detyrimeve. Kryesore është që të kemi furnizim pa ndërprerje të energjisë elektrike, mos jemi në kushtet kur OSHE nuk siguron. Duhet të kishim dëgjuar sa do të rritet çmimi, si do të jetë skema e mbrojtjes së shtresave në nevojë dhe kostoja për ekonominë nga ndryshimi i çmimit të energjisë. Me 200 mln euro garanci sovrane, OSHE mund të dalë në treg dhe të blejë. Do të rëndohet bzinesi i madh dhe ndërmarrjet shtetërore dhe do të kemi më shumë arkëtime në TVSH."

Sipas përllogaritjeve të tij, nëse energjia rritet për të gjitha fashat 10%, efekti do të ishte 70 mln euro në vit, një kosto për konsumatorët, por thekson se lajm i mirë është që parashikimet për krizën e rritjes së çmimeve janë që në mes të 2022, do të normalizohet situata.

“Me përllogaritje që kam bërë, nëse për të gjitha fashat rritet 10%, efekti do ishte diku në 70 mln euro në vit, një e ardhur shtesë për sistemin energjetik dhe kostot për konsumatorët. Nuk është ndonjë vlerë kaq e madhe dhe është kjo garanci, nuk është kosto. Nëse OSHE do të arrijë ta kthejë kredinë, nuk është kosto. Ne konsumojmë pak energji, te familjet shqiptare llogaritet nga 5% e shpenzimeve në 20% për shtresat me të ardhura të ulëta. Për një biznes nuk e di sa është pesha e konsumit të energjisë, por rritja e çmimeve mund të ndikojë në një biznes. Lajm i mirë është që gjithë parashikimet janë që kjo krizë rritjeje çmimesh nuk do të vazhdojë gjatë deri në mes të 2022 do të normalizohet situata, në varësi edhe të sezonit të ri të covid-it.”

A2 CNN Livestream

Dita jonë